Kanina pa ujë të pishëm në verë, banorët: Asnjë investim nuk është bërë, bashkia nuk ndërhyn

Investimet në fshatra vijojnë të mungojnë në shumë pjesë të vendit. Në Kaninë të Vlorës mungon uji i pijshëm ndërsa banorët shprehen se përballen me këtë problem prej vitesh. Ata thonë se disa herë e kanë ngritur si shqetsim por askush nuk u ka gjetur një zgjidhje.

Në shtëpitë e fshatit Kaninë në Vlorë uji rrjedh vetëm një orë në ditë. Edhe kur shkon, ai është i pakonsumueshëm.

Vetë banorët shprehen se ditët e ngehta të verës janë Akoma më të vështira pa ujë.

"Një ditë po, një ditë jo. Llogarite vetë ti. Thonin që u prish pompa po tani uji është kryesorja. Po s'pate ujë, s'ke asgjë," thotë një qytetare.

"Nuk përballohet dot me gjithë këto lagje që janë në Kaninë. Nuk i furnizojnë dot çdo natë," thotë një qytetar.

Të gjendur në këto kushte ata detyrohen që të blejnë ujin për konsum.

"E kemi vetëm për të larë, nuk e konsumojmë. Për të pirë e blejmë," thotë ajo.

Thonë se investimi i fundit në rrjetin e ujësjellësit është bërë në sistemin komunist.

"Ne po të krahasojmë se si e marrim ujin është është për të ulëritur. Sistemi i furnizimit me ujë është shumë i vjetër. Eshtë një tubacion i viteve '70, i shkulur nga tubacioni që furnizonte me gaz fabrikën e cimentos dhe këto tuba janë jashtë standardeve që nuk e plotësojnë nevojën e fshatit," thotë ai.

Pavarësisht ankesave dhe kërkesave të shumta të banorëve të zonës autoritetet nuk kanë gjetur asnjë zgjidhje për këtë problem, ndërsa as në buxhetin e vitit 2022 nuk është parashikuar asnjë ndërhyrje!