Kriza për punëtorë, punonjësit: Stafet janë të pakënaqura me pagesën dhe kushtet e punës
Mungesa e punonjësve interpretohet në mënyra të ndryshme si nga punëtorët, ashtu edhe nga punëdhënësit. Disa shprehen se stafet nuk vlerësohen si duhet dhe pagat janë të ulëta, prandaj zgjedhin jugun, ose udhëtojnë jashtë vendit. Por për punëdhënësit këto janë kapriço, pasi sipas tyre mungojnë punëtorët e kualifikuar ose me eksperiencë.
Në çdo rrugë të Tiranës po të hedhësh sytë nga dyert e bizneseve lexon këtë tabelë. Mungesa e stafit të punëtorëve tashmë është një problem i përhapur në masë.
Kryesisht mungesat më të mëdha janë në bare e restorante.
Vetë punonjësit, të ngarkuar për të bërë më shumë se një pozicion pune për shkak të mungesës së kolëgëve janë të shqetësuar. Disa prej tyre thonë se kjo situatë lidhet me lëvizjen e punonjësve në jug ku rrogat janë më të larta ose me largimin masiv jashtë vendit.
"Një arsye është dhe se punojnë në jug për pagesë më të lartë; mungesa e komunikimit mes pronarit dhe punonjësit; mungesa e kushteve të punës. Ofrojnë shumë pak dhe kërkojnë shumë, " thotë një punëtor.
"Kushtet janë shumë minimale. Gjejnë rrugën më të mirë që të ikin jashtë shtetit dhe të punojnë diku ku lodhen shumë në fund të fundit kanë një buzëqeshje që shpërblehet. Ndërsa në Shqipëri është krejt e kundërta. Lodhesh, shfrytëzohesh dhe në fund e thjesht i shfrytëzuar."
Të pakënaqur janë edhe me kushtet e punës dhe mungesën e institucioneve ku mund të ngrenë zërin për t’u vlerësuar më shumë. Sindikata e punëtorëve do të ishte një zgjidhje.
"Këtu nuk ka një përfaqësim. S'kemi ku të ankohemi, ku të flasim për kërkesat që kemi dhe kushtet që duam ne. Sic do punëdhënësi kushte, ka dhe punëtori kushtet e veta," thotë ai.
Të tjerë, me më shumë vite eksperiencë në tregun e punës thonë se janë vetë punonjësit problematikë për shkak se kanë pretendime shumë të larta edhe pse janë të pakualifikuar.
"Nga viti në vit ka shumë që vijnë në punë për të kaluar kohën, vijnë të detyruar. Në bregdet nuk mund të futësh një fillestar në një punë që kërkon esksperiencë dhe madje eksperiencë të madhe," thotë një punëtor.
Sipërmarrës të cilët hezitojnë të flasin përpara kamerave mbështesin këtë mendim.
