Sapo erdhi nga Italia dhe i shkoi vëllait për vizitë në lokal, ai e priti me plumba pistolete

Ngjarja e rëndë e riregjistruar në 4 korrik 2022 në Radhimë të Vlorës, ku njëri nga vëllezërit Eduard Kondi qëlloi me armë zjarri vëllain e tij, Benjaminin, e ka zanafillën pikërisht në vizitën e papritur që ky i fundit ka bërë në lokal.

Lokali dhe plazhi punohej nga Eduard Kondi, por prezenca në këtë teren e Benjaminin, ka bërë që Eduardi të nxjerrë një pistoletë dhe të qëllojë në ajër, me qëllim trembjen dhe largimin e Benjaminin që kishte bërë një vizitë blic në lokal.

Sipas dëshmisë së Benjamin Kondit të dhënë në policinë e Vlorës, ditën kur ka ndodhur ngjarja ai sapo ishte kthyer nga Italia në Shqipëri, duke përdorur linjën e tragetit Bari-Durrës.

Nga Durrësi, Benjamini u ka thënë policëve se kishte shkuar direkt tek lokali që e punon vëllai i tij, Eduard Kondi. Sipas tij, ky i fundit qëndronte në verandën e lokalit dhe aty Benjamini e ka përshëndetur të vëllanë, i cili qëndronte në një tavolinë të lokalit “Bora-Bora”.

Eduarti nuk i ka folur fare, por është ngritur nga tavolina dhe i është drejtuar Benjaminit me fjalët: “…pse ke ardhur ti këtu…”.

Në këtë moment Eduard Kondi, sipas Benjaminin ka future dorën në marsupin që mbante të varur, dhe në këtë moment vëllai tjetër është larguar nga frika, duke tentuar të fshihet pas lokalit.

Në këtë moment ka dëgjuar një të shtënë arme, ndërsa vetë Benjamini ka treguar në polici se ka dalë me shpejtësi duke marrë makinën që përdoret për transportin e punëtorëve dhe është larguar në drejtim të Vlorës, duke u paraqitur në polici.

Ai nuk ka pësuar asnjë dëmtim nga e shtëna me armë, por për shkak të zhurmës së krijuar të gjithë pushuesit janë larguar me vrap. Benjamini, u ka treguar policëve se njeriu që ka qëlluar me armë ka qenë pikërisht vëllai i tij, Eduard Kondi, me të cilin ka pasur konflikte të mëparshme.

Lidhur me këtë ngjarje policia kriminale e Vlorës, realizoi arrestimin në flagrancë të Eduard Kondit, dhe se ndaj tij gjykata e qytetit vendosi masën e “arrestit në burg”, për akuzën e “Mbajtje pa lejë të armëve dhe municioneve”, “Dhunë në familje” dhe “Prishje e qetësisë publike”.