Butrinti, PS “rrëzon” Metën, socialistët nuk reflektojnë, votojnë kundër dekretit të Presidentit
Argumentet ligjorë të institucionit të Presidentit se dhënia me koncesion e Parkut Kombëtar të Butrintit është në shkelje të Kushtetutës nuk e kanë bindur mazhorancën socialiste për t’u tërhequr nga marrëveshja.
Dekreti i Presidentit në Komisionin e Ekonomisë mori votat kundër vetëm të socialisteve, duke e “rrëzuar” për herë të fundit Ilir Metën si Kreu i Shtetit.
Zhupa: Ju e keni ndarë mendjen dhe tregoni se sa të paduruar jeni për ta dhënë Butrintin me koncesion. Nuk keni këllqe që t’i dilni kundër Edi Ramës për interesat e tij personale.
Mazhoranca nuk mendon që është në shkelje të Kushtetutës marrëveshja e qeverisë shqiptare me fondacionin amerikan për zhvillim për Butrintin, ndërsa demokratët duke arsyetuar mbi mbrojtën e Presidencës pretendojnë që kjo marrëveshje është nul për shkak se statusi i partneritet strategjik i është dhënë nga një institucion që nuk e ka në kompetencë.
Zhupa: Keni zgjedhur që këtë status t’ia jepte këshilli kombëtar i menaxhimit të pasurive kulturore. Pra, dhënie e tagrit si partner strategji bie, sepse e ka dhënë një organ që nuk ka kompetencë.
Drejtuesi i komisionit Eduard Shalsi nuk i ka pranuar në mbledhje përfaqësuesit e shoqërisë civile të cilët kundërshtojnë dhënien me koncesion të Butrintit.
Baçe: Shteti për të është një shtet që shet ato xhevahiret.
Shalsi: Kthimi i dekretit është një procedurë e veçantë nga ai i shqyrtimit të projekt ligjit. Ata nuk donin të shprehnin opinionet, por donin të shprehnin provokimet.
Në këtë mbledhje nuk kanë munguar as sherret mes socialistëve dhe demokratëve.
