Roli i Shqipërisë kundër Putin, mediet: Takimi Rama-Stoltenberg për bazën e re detare të NATO-s

Mediet britanike kanë hedhur dritën mbi vizitën e kryeministrit Rama me kreun e NATO-s në Bruksel e cila është parashikuar të mbahet të mërkurën. Sipas gazetës Ekspres, takimi ka të bëjë me ndërtimin e një baze detare të NATO-s në Durrës.

Takimi i kryeministrit shqiptar Edi Rama me kreun e NATO-s ka marrë vëmendjen e medieve britanike.

Gazeta Ekspres thekson se vizita e kreut të qeverisë në Bruksel ka të bëjë me dhënien e dritës jeshile të Tiranës për ndërtimin e bazës së re detare të NATO-s, për të cilën media shkruan se do të përbëjë një paralajmërim të madh për Vladimir Putin.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Baza e re detare e cila është projektuar të ndërtohet në Porto Romano do të ndërtohet me financim të shtetit shqiptar dhe Aleancës së NATO-s.

Shqipëria shpenzon aktualisht rreth 1.53 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto për fondet e mbrojtjes, afro 25% më pak nga sa u konludua në Samitin e Madridit, ku shtetet anëtare ranë dakord që të shpenzonin minimalisht 2% të GDP-së.

Në maj, zoti Rama tha se qeveria e tij i kishte ofruar NATO-s bazën detare të Pashalimanit në jug të Shqipërisë, në Orikum.

Pashalimani ka shërbyer si baza e vetme e Bashkimit Sovjetik në Mesdhe gjatë viteve 1950, kur regjimi komunist ishte në të njëjtën linjë me Moskën.

Pas rënies së komunizmit, ajo u rindërtua me ndihmën e Turqisë, e cila ruajti të drejtën e përdorimit të saj.

Marina shqiptare ende sot e përdor bazën për disa operacione dhe stërvitje.

NATO po transformon gjithashtu një ish-bazë ajrore ushtarake të epokës komuniste në Kuçovë. Rinovimi i bazës do të kushtojë rreth 40 milionë euro dhe do të bëhet funksional në vitin 2023.

Ajo do të shërbejë si një depo për municionet, si dhe do të veprojë si një qendër furnizimi me karburant.

Aktualisht po punohet edhe për rikthimin e pistës dhe kullës së kontrollit në përdorim të plotë.

Baza origjinale u ndërtua duke përdorur punën e të burgosurve nën regjimin komunist.