71 xhiro të çmendura në Austri por në fund triumfon Ferrari (Video)
Charles Leclerc triumfon në garën për Çmimin e Madh të Austrisë pas 71 xhirove të çmendura dhe 3 parakalimeve ndaj kampionit të botës Max Verstappen.
Ferrari e monegaskut thjesht fantastike në fundjavën e Austrisë ku holandezi u nis nga vendi i parë por nuk arriti të rivalizonte asnjë herë me Leclerc, thjesht i papërmbajtshëm tashmë 38 pikë larg holandezit.
Pasditja perfekte e skuadrës nga Maranello u prish nga makina e djegur e Carlos Sainz 14 xhiro nga fundi që rrezikoi shumë teksa nuk arriti të bllokonte njëvendëshen në flakë ndërsa vendi i tretë shkoi për Lewis Hamilton. Garën e braktisi edhe piloti tjetër i Red Bull, Perez.
Ky është suksesi i dytë sezonal për Leclerc dhe i dyti rresht për skuadrën Ferrari. Piloti më i mirë i garës u shpall djali i legjendës Michael Schumacher, Mick, i cili regjistroi një vend të 6, arritja më e mirë sezonale e makinës Haas.
