Dështimet më të mëdha të Real Madrid. Miliarda të shpenzuara për lojtarë..stoli dhe infermierie
Real Madrid është një nga klubet më të titulluar të planetit por stema mbretërore nuk ka vetëm rekorde pozitive. Largimi i Luka Jovic te Fiorentina pa arkëtuar asnjë qindarkë, rikthen një debat të vjetër në Madrid ku shpesh herë shpenzojnë pa kriter dhe pa vendosur logjikën në punë.
66 milionë pagoi Perez për ta blerë nga Eintracht Frankfurt sulmuesin serb, një nga blerjet më të dështuara në historinë e Realit pasi në tre vite me fanellën e Los Blancos, Jovic nuk dha asnjë kontribut.
Në vitin 1999 Nicolas Anelka u transferua nga Arsenali për 34 mln. Euro dhe rezultoi gjithashtu një dështim.

Në 2006, talenti italian i Romës, Antonio Cassano u ble për vetëm 5 milionë euro por u largua menjëherë me bilancin katastrifik, 7 ndeshje dhe 1 gol.

Danilo në vitin 2015 çoi në arkën e Portos rreth 34 milionë euro por mbrojtësi nuk funksionoi në Madrid dhe u largua dy sezone më pas te Manchester City.

2007, Royston Drenthe 14 milionë nga Holanda por në moshën 29 vjeçare pas një kalvari të gjatë ne kategoritë inferiore, iu dedikua karrierës si këngëtar.

Eden Hazard mund të konsiderohet edhe si dështimi më i madh pasi mister 120 milionëshi prej tre sezonesh po vegjeton mes pankinës dhe infermierisë.

Në vitin 2009 Reali vendosi një rekord në merkaton e verës teksa bleu për 65 milionë brazilianin Kaka nga Milani. Vendim i gabuar për mesfushorin e avancuar dhe klubin “merengues”.

Të paguaje 15 milionë në vitin 1991 nuk ishte një pazar që mund ta bënte çdo klub por Reali nuk u mendua dy herë për të derdhur shumën në llogarinë e Crvena Zvezda për të shkëputur nga serbët e saposhpallur kampionë të Europës, talentin Robert Prosinecki që do të kujtohet vetëm për firmën me Los Blancos.

I fundit por jo për nga rëndësia, 80 milionëshi James Rodriguez që mahniti në Botërorin 2014 por la vetëm zhgënjim pas aventurës madrilene.

