"Harta e re Gjyqësore" në Kuvend, PD kërkon dëgjesë. Xhafaj i PS: Ministria e Drejtësisë dhe KLGj po shkelin rëndë ligjin

Partia Demokratike kërkoi sot dëgjesë me ministrin e drejtësisë, KLGj, KLP dhe Dhomën Kombëtare të Avokatëve për hartën e re gjyqësore.

Kërkesën e bëri deputetja Dhurata Çupi Tyli në mbledhjen e komisionit të Ligjeve.

"Kërkojmë të dimë datën kur do të zhvilohet seanca dëgjimore me KLGJ, KLP, Ministrin e Drejtësisë dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë. Siç dihet sot qytetarët nuk përfaqësohen në procese gjyqësore pasi Dhoma e Avokatisë nuk merr pjesë në gjyqe. Është çështje sensitive dhe duhet të njihen qytetarët me datën e dëgjesës dhe marrjen e masave", - tha zonja Çupi në hyrje të mbledhjes së Komisionit të Ligjeve.

Nga ana tjetër deputeti Fatmir Xhafaj tha se ministria e Drejtësisë dhe KLGJ janë në shkelje të rëndë të ligjit.

“Duhet të vëmë nën presion për të përshpejtuar procesin, sepse edhe ministria e Drejtësisë dhe KLGj janë në shkelje të rëndë të këtij ligji. U bënë dy javë që nuk ka gjyqe dhe situatës që sot kemi ne në sistem për arsye objektive I shtojmë dhe këtë”

Pas kërkesës së PD, kryetarja e Komisionit Klotilda Bushka tha kjo dëgjesën do të rakordohet që të zhvillohet në datën 11 ose 12 korrik.