Shkodër/ Fermerët vazhdojnë protestën. Tone të ashpra mes deputetit Hila dhe përfaqësuesit të agjensisë rajonale bujqësore
Fermerët e nënShkodrës brenda pak javësh zhvilluan protestën e tyre lidhur me mospërfitimin e naftës pa akcizë.
Këtë herë ata e zhvendosën reagimin e tyre përpara Agjencisë rajonale të Ekstencionit Bujqësor.
"Kam dal fitues dhe më kanë marrë në telefon që kisha fituar. Më ka marr pastaj pas një javë- 10 ditë dhe më kanë thënë: Arben emri jot nuk figuron askund," tha fermeri.
Debatet më të ashpra u shënuan brenda këtij institucioni pasi deputetët e PD të qarkut Shkodër që u rreshtuan në krah të fermerëve i renditën shkeljet kësaj agjensie.
"Duhet të bëhet bllokimi i gjithë dokumentacionit, se është lehtësisht e verifikueshme. Por nëse ato dosje do flejnë, siç e kanë zakon, atëherë normalisht vështirësitë janë të mëdha," deklaroi deputetit i PD Zef Hila.
Përfaqësuesi i agjencisë rajonale në përgjigje të këtyre ankesave u shpreh se kjo agjensi bën kontrollin administrativ vetëm të dokumentacioit, ndërsa pjesa tjetër e verifikimit i takon AZHBR-së.
"Ne bëjmë kontrollin administrativ të dokumentave për ti përcjellë ato tek AZHBR-ja për miratimin dhe plotësimin e talonave të naftës," tha përfaqësuesi i saj.
Fermerët do të vijojnë protestat deri në sqarimin e plotë të kësaj skeme që ata e cilësojnë të dështuar dhe abuzive, ndërsa në Kuvend deputetët e Shkodrës priten të thërrasin në interpelancë ministren Frida Krifca.