Sulmohet me eksploziv servisi makinave në Ishull Shëngjin, pronari: S'kemi konflike
Edhe Lezha u shtua në hartën e 25 shpërthimeve me tritol të shënuar në vend në 6 muajt e parë të vitit. Një servis makinash u sulmua në Ishull Shëngjin.
Vala e sulmeve me eksploziv nuk ndalet nga jugu në veri.
Rasti i tretë vetëm në harkun e kësaj jave u shënua në Lezhë.
Objektiv këtë herë ishte ky servis makinash në Ishull Shëngjin në pronësi të shtetasit Tol Mëhillaj
Një kamera sigurie e biznesit filmoi autorët.
Sipas pamjeve Ishin dy persona që erdhen me motor dhe mbanin skafandër në kokë.
Pasi vendosën ekspozivin, largohen me shpejtësi dhe disa sekonda më pas ndodh shpërthimi.
Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por siç tregojnë pamjet dëmet ishin të mëdha.
Klaudio Mëhilli thotë se nuk kanë konflikte me njeri, ndaj presin zbardhjen e ngjarjes.
"Isha në shtëpi duke fjetur gjumë, madje u tremb edhe vajza dhe dolëm të gjithë si familje jashtë. Vetëm kur pamë të gjithë xhamat e thyer," tha ai.
Më herët gjatë javës, në Shkodër i vunë bombë me telekomandë në makinë drejtores së Kujdesit Shëndetësor, Suida Kuka të cilën më pas e paralajmëruan me mesazh se ishte shenjestër duke shmangur shpërthimin.
Ndërsa në Sarandë u sulmua një hotel në proënsi të drejtorit të sigurimeve që me herët ka drejtuar zyrën e Aluznit.
Në 6 muajt e parë të këtij viti në Shqipëri janë regjistruar 25 shpërthime me tritol.
Në fokus kanë qenë efektiv të policisë, zyrtarë, biznesmenë dhe persona me precedent.
Viktima e vetme e sulmeve me tritol për këtë vit është shënuar në Tirane.


