Pilku: 25 mln euro subvencione janë të pamjaftueshme për bujqësinë e blegtorinë. Orientimi për fermerët i gabuar

Eksperti Ilir Pilku është shprehur se orientimi që i është dhënë fermerëve është i munguar.

Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, Pilku është shprehur se në vendin tonë mungojnë studimet e tregjeve, dhe një orientim bazë për tregjet.

Ilir Pilku: Mesi i Majit dhe deri në Tetor, ne jemi përballë kësaj situate, sepse është kulmi i  prodhimit në Shqipëri. Tashmë kemi korrjen e grurit,  kemi të gjithë frutat e freskëta, së shpejti do filloj rrushi, shalqiri, molla. Orientimi që është dhënë fermerëve ka qenë një orientim i gabuar. Na mungojnë studimet e thella të tregjeve, botërore dhe si lëvizin tregjet, pra një orientim i mirë në bazë të tregjeve. Kuptohet që institucionet e veçanta kanë për detyrë ta bëjnë këtë.

Sipas tij në vendin tonë hallkat dhe institucionet nuk janë funksionale, ndërsa propozoi se duhet të ndërtohet një treg portativ që t’u vij në ndihmë të gjithë fermerëve nga gjithë vendi.

Ilir Pilku: Te ne hallkat nuk janë funksionale dhe prandaj ne shpeshherë themi të mësojmë nga historia sporadike apo një histori suksesi e dikujt. Duhet të ndërtohet një treg portativ për të ndihmuar të gjithë fermerët.

Pilku thotë se bujqësia në vendin tonë ka nevojë për fonde, në mënyrë që aktivitetet bujqësore që janë potenciale të shfrytëzohen maksimalisht.

Ilir Pilku: Bujqësia ka nevojë për fonde. Aktivitetet e shumta bujqësor që në Shqipëri operohen, pra ne kemi rreth 72 aktivitete bujqësore, ku 25 janë shumë potenciale. Ky është favori që ka Shqipëria në rrjetin ballkanik. Këto aktivitete duhet të shfrytëzohen në mënyrën e duhur dhe për këtë duhen të buxhetohen para më shumë. 20-25 milionë euro subvencione nga buxheti i shtetit janë të pamjaftueshme. Maqedonia e Veriut ka subvencione për bujqësinë, 30 e ca mln euro ka vetëm për duhanin.

Ai u shpreh ndër të tjera: Duhet të ketë një harmonizim të zinxhirit të vlerës, në mënyrë që të kemi një rritje të rendimentit për krerë. Rritja e rendimentit do të na bëjë një ulje të kostos e rritje  të cilësisë. Kjo do të na bëjë të konkurrueshëm, e kjo është një nga çështjet që kërkon vëmendje të veçantë. Prandaj kërkojmë që kultivuesit e misrit të subvencionohen.