Anglia shkon në Kukës/ Britania e Madhe jep 8 milionë paund për të rinjtë e Kukësit, Hasit e Tropojës
Britania e Madhe po mundohet të frenojë emigracionin masiv të të rinjve nga kukësi, Hasi e Tropoja. Për kurse dhe trajnime profesionale plot 8 milionë paund ka dhënë qeveria britanike për të rinjtë nga 3 bashkitë e veriut, të cilët e shikojnë emigrimin si mundësi të vetme për sigurimin e jetesës.
Teksa qindra të rinj nga Kukësi, Hasi e Tropoja kanë emigruar në Britani të Madhe dhe vijojnë të emigrojnë, qeveria britanike po mundohet ta frenojë këtë fenomen.
Britania ka vendosur që 8 milionë paund t’i investojë në Kukës, Has e Tropojë, me qëllim aftësimin e të rinjve për punë.
Lajmin e ka dhënë Ambasadori i Britanisë së Madhe Alastair King Smith gjatë një takimi me kryetarët e tre bashkive.
Qëllimi është që të nxitet punësimi i të rinjve të cilët emigrimin drejt Britanisë e shikojnë si zgjidhjen e vetme.
Alastair King Smith: E dimë që kemi probleme me të rinjtë që nuk kamnë mundësi të tjera dhe pastaj shkojnë në mënyrë të paligjshme dhe grupet e krimit të organizuar shfrytëzojnë këtë çështje.
Vetë diplomati përsëriti shqetësimin e shqiptarëve që shkojnë në Britani ilegalisht, dhe përfshihen në krim të organizuar.
Alastair King Smith: Duhet të jetë një fushatë për aftësimin në punë, për punësim, jo vetëm fjalë e projekte por ndikim.
Tanimë qarku i Kukësit do të mund të përfitojë ndihmë nga Britania e Madhe pa qenë nevoja që të udhëtojnë me gomone a kamionë për atë që ështe konsideruar si toka e premtuar e kuksianëve.
