Industria e eksplozivit/Nga paralajmërimet tek vrasjet, 24 sulme me tritol në 6 muaj, vetëm 3 ngjarje të zbardhura

Në 6 muajt e parë të këtij viti në Shqipëri janë regjistruar 24 shpërthime me tritol, ku nga këto krime vetëm tre prej tyre janë zbardhur. Sipas hetuesve, në të shumtën e këtyre ngjarjeve autorët përdorin tritolin për dhënien e mesazheve te shënjestra e tyre. Megjithatë këtë vit sulmet me tritol kanë shkaktuar viktima, madje edhe në vende publike dhe nuk kanë kursyer as personat me funksione të larta në institucione.

Automjete, binznese dhe banesa kanë qenë shënjestra të sulmeve me tritol në këtë 6 mujor të parë të vitit 2022.

Nga fillimi i janarit të paktën 24 shpërthimie me lëndë plasëse janë regjistruar duke prodhuar kështu një viktimë.

Policia ka arritur zbardhjen e plotë të vetëm 3 prej këtyre ngjarjeve, ndërsa pjesa tjeter është ende nën hetim.

Viktima e parë e shpërthimit ishte Aleksandër Sadikaj, i cili humbi jetën teksa udhëtonte me makinë në autostradën Tiranë-Elbasan.  

Të riut nga Tepelena ju vendos një sasi prej 200 gram tritol në automjet, çka i shkaktoi vdekjen.

Por sipas hetuesve, shumica prej këtyre ngjarjeve kanë si qëllim paralajmërimin dhe jo eleminimin final.

Megjithatë për policinë është e vështirë zbardhja e ngjarjeve të tilla, pasi autorët marrin masa për të mos u zbuluar duke treguar kujdes në realizimin e krimit.

Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit vendosjes së lëndës plasëse nuk i shpëtuan as punonjës policie, president federatash, por edhe persona të tjerë me funksione të rëndësishme.

Një natë më parë në hotelin e ish-drejtorit të ALUIZNI-t dhe aktualisht drejtor pranë Kujdesit Shëndetësor, ju vëndos për herë të dytë një sasi tritoli.

Po ashtu 2 ditë më parë drejtoreshës së Operatorit të Kujdesit Shëndetësor Shkodër.

Suida Kuka arriti në kohë të lajmëronte policinë për një pako të dyshimtë që ishte në gomën e makinës së saj.

Pas kqyrjes u rezultua se ishte bombë me telekomandë.

Vitin e kaluar janë regjistruar gjithsej 31 shpërthime eksplozivi.

Për 9 prej këtyre ngjarjeve janë zbuluar autorët me 23 persona të përfshirë, ku 12 janë arrestuar, 4 ndaluar dhe 7 janë hetuar në gjendje të lirë.