Harta gjyqësore, Gjokutaj: Do krijojë shumë probleme, greva e avokatëve do jetë pa afat. Thirrja për Dhomën e Avokatisë

Dhoma Kombëtare e Avokatisë, prej javësh ka bojkotuar seancat gjyqësore  si dhe masat e sigurisë, si një shenjë proteste, kundër hartës së re gjyqësore.

Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Siklajda Shorja, avokati Genc Gjokutaj, u shpreh  se shkurtimi i gjykatave nuk do të shkurtojë stokun e madh të çështjeve të cilat janë për gjykim.

Më tej ai tha se shkurtimi i gjykatave do të shkaktoj dhe shtyrje të çështjeve për shkak të mospasjes së mundësisë së eksesit të palëve.

Genc Gjokutaj: Shkurtimi i Gjykatave nuk ka sesi të shqyrtojë stokun e mëdha të çështjeve që është krijuar. Mund të bëhej një reduktim i Gjykatave të apeleve, por gjykatat e rretheve gjyqësore duhet të vazhdonin dhe të plotësoheshin vakancat. Në kohën kur gjyqësori ka mungesë gjyqtarësh, si mundet përqendrimi i gjykatave në më pak Gjykata, me të njëjtin numër gjyqtarësh, të sjellë shqyrtimin e dosjeve. Do të ndodh, një efekt boomerang, i cili do të shkaktojë edhe shtyrje të çështjeve për shkak të mospasjes së mundësisë së aksesit të palëve në gjykim, të cilët për shkak të largësisë, sistemit të komunikimit, seancat do të shtyhen për mospjesëmarrje. Pra në vend që të zgjidhë një problem do të krijojë probleme të tjera. Kjo hartë nuk është vullnet dhe optikë  e disa ekspertëve, të cilët e njohin procedurën dhe organizimin.

Ai tha se nisur nga situata, Dhoma e Avokatisë do e vazhdojë grevën pa afat.  

Genc Gjokutaj: Kështu që Dhoma e avokatisë tashmë ka vendosur që të fillojë grevën pa afat dhe ajo që është më tronditësja, por që është e detyruar dhoma e avokatisë, është vendosur dhe bojkotimi i masave të sigurisë.

Ndër të tjera ai i ka bërë dhe një thirrje Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë dhe Ministrisë së Drejtësisë që të ulen urgjentisht dhe të diskutojnë këtë çështje.

Genc Gjokutaj: Unë bëj thirrje që të ulet urgjentisht  Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë, me Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin e lartë gjyqësor dhe të gjejnë në mënyrë emergjente gjuhën e përbashkët për të përvijuar negocimin e kësaj harte, por sigurisht duke riparuar atë çka mund të riparohet atë që është masa e sigurimit. Kjo masë ekstreme tregon mospërfilljen që i është bërë komunitetit të avokatëve në diskutimin e hartës së gjyqësorit.(A.K, Ora News)