Korçë/ Ryshfet në këmbim të subvencionit, asnjë avokat në seancën për caktimin e masës së sigurisë të inspektorit të AZHBR

Ka nisur në Gjykatën e Shkallës së Parë seanca për caktimin e masës së sigurisë për Arbri Pajo inspektor i AZHBR dhe fermerit Shaban Zaçe.

Ato u arrestuan 3 ditë me parë për korrupsion me subvencionet në bujqësi.

Deri tani në seancë nuk është paraqitur asnjë avokat për shkak të vendimit për të bojkotuar masat e sigurisë për një periudhë 10 ditore.

Burime nga Prokuroria bënë të ditur se organi i akuzes do të kërkojë për dy të ndaluarit masën e sigurisë arrest me burg dhe më tej çeshtja do t'i dërgohet SPAK.

Inspektori i Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor Rural në Korçë është arrestuar pasi akuzohet se pranoi ryshfet për të favorizuar një blegtor, që të përfitonte në mënyrë të parregullt një sasi më të madhe parash nga subvencioni për kafshët.

Rryshfeti ishte gati 10 % për subvencionin prej 1.000.000 lekë për bagëtinë dhe arrestimi është kryer në flagrancë në lagjen nr. 8 të Korçës kur do bëhej dhe dhënia e rryshfetit.

Gjithashtu, nga hetimet e kryera rezulton se inspektori duke shfrytëzuar detyrën, ka favorizuar edhe disa fermerë të tjerë, që të përfitonin nga skema e subvencioneve mbështetëse, shuma më të mëdha monetare, në kundërshtim me ligjin, duke iu kërkuar atyre ryshfet nga 50.000 deri në 100.000 lekë.