Tjetërsuan lagunën e Kunes, merr fund arratia e kryeplakut të Gryk Lumit. Lëshoi dokumente false
Arrestohet zyrtari i katërt i dyshuar i përfshirë në dosjen e tjetërsimit të lagunës në Kune Vain. Polici njoftoi se është arrestuar sot kryetari i fshatit Grykë Lume në Tale, Pjetër Luka i cili ishte i shpallur në kërkim.
Për 62 vjeçarin Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë kishte caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Falsifikimi i dokumenteve".
Sipas të dhënave, skema ishte ngritur mbi bazën e Akteve të marrjes së tokës në Pronësi.
Hetimi disa mujor ka treguar se kryeplaku në periudha të ndryshme kohore, ka hartuar dhe lëshuar dokumente të falsifikuara, me qëllim tjetërsimin e kësaj prone në favor të disa personave.
"Ky shtetas, dyshohet se në periudha të ndryshme kohore, ka përpiluar dhe lëshuar dokumente të falsifikuara, me qëllim tjetërsimin e kësaj prone, në favor të të tretëve.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dokumente të ndryshme të dyshuara të falsifikuara (me të dhëna të rreme)" informoi sot policia.
Vijon operacioni, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Në kuadër të këtij operacioni më 3 qershor 2022 u ndaluan drejtori i Zonave të Mbrojtura në Lezhe Pjeter Toni dhe dy vartësit e tij Armand Lleshaj dhe Tom Gjelaj
Arrestimet u kryen në vijim të operacionit "Tjetërsimi i Lagunës", i zhvilluar rreth 1 muaj më parë, për goditjen e veprimtarive të paligjshme që po zhvilloheshin në zonën e mbrojtur të Kune Vain, në të cilat u përfshinë 4 funksionarë publikë, 3 prej të cilëve u ndaluan, ndërsa 1 tjetër (Pjeter Luka) ishte shpallur në kërkim.
Me veprimet dhe mosveprimet e tyre, ata akuzohen se kanë sjellë dëmtimin e zonës së mbrojtur të Kune – Vainit, në vendin e quajtur “Grykëderdhja e Matkeqës.
