Shkodër/ Bombë “dhuratë” drejtores së PS, tritolvënësi me motor, ekspozivi në qese kroasani. Zbardhet dëshmia
Atentati ndaj drejtoreshës së emëruar nga socialistët në krye të Operatorit të Kujdesit Shëndetësor për veriun mbetet ende pa autor dhe motiv. Tritolvënësi i dyshuar është filmuar nga një kamera sigurie, por pamjet nuk janë të qarta. Vetë Suida Kuka, ka deklaruar se nuk ka konflikte dhe nuk është kërcënuar kurrë me parë.
Mbetet ende pa autor dhe motiv atentati i dështuar me lëndë plasëse ndaj Suida Kukës, drejtore e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor në Shkodër.
Tritolvënësi sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, u afrua me motor dhe vendosi pakon bombë në gomën e parë të mjetit luksos të zyrtares vendore të parkuar para institucionit që drejton.
Ekspertët e policisë e Prokurorisë së Shkodrës, po punojnë për të identifikuar autorin, që sipas pamjeve është një i ri, por kamerat e sigurisë në zonë mësohet se nuk ofrojnë pamje të qartë
Qëllimi i vendosjes së eksplozivit mbetet ende mister.
Hetuesit nuk i ka ndihmuar as dëshmia e zyrtares.
Suida Kuka, në dëshminë e parë mësohet se ka deklaruar se nuk ka konflikte me asnjë person, dhe nuk ka marrë më parë kërcënime.
Ndaj hetimi mësohet se është shtrirë në disa pista, mes të cilave nuk përjashtohen as ato për shkak të detyrës.
Ishte rreth 200 gram eksploziv i lidhur me mekanizëm shpërthimi dhe i mbështjellë me një letër kruasani.
Bombën e zbuloi vete zyrtarja para se të hipte në makinë pas orarit zyrtar të punës.
Ajo ngriti alarmin tek policia lokale, ndërsa 2 orë e 30 minuta më pas (28 qershor 2022) ekspertët kryen shpërthimin e komanduar.
Suida Kuka më herët ka mbajtur pozicionin e drejtores së Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Shkodër dhe në muajin maj ishte emëruar drejtore e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor për veriun.



