"Tjetersuan Lagunen" I vihen prangat Drejtorit të Zonave të Mbrojtura dhe 2 inspektorëve në Lezhë
Hedhja e inerteve në mënyrë të paligjshme dhe tjetërsimi i pronave me zonën e mbrojtur të Lagunes Kune Vain ka sjellë ndalimin e drejtorit të Zonave të Mbrojtura në Lezhe Pjeter Toni dhe 3 inspektorë të këtij institucioni.
Ndaj tyre është vendosur masa e sigurise “arrest me burg” nga gjykata e Lezhës me kërkesë të prokurorisë pas një hetimi disamujor. Sipas burimeve Policia ka ekzekutuar vendimet e gjykates kete te premte.
Policia bën me dije se në kuadër të operacionit "Tjetërsimi i Lagunes" janë arrestuar shtetasit:
Pjeter Toni, 61 vjeç, banues në Ishull-Lezhë, me detyrë drejtor i AdZM Lezhë;
Armando Lleshaj, 27 vjeç, banues në Ishull-Lezhë, me detyrë specialist i Sektorit të Monitorimit pranë AdZM Lezhë;
Tom Gjelaj, 63 vjeç, banues në Ishull-Lezhë, me detyrë roje mjedisore i AdZM Lezhë.
Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasit Pashk Ndoka., 61 vjeç, banues në Lezhë, me detyrë përgjegjës i Sektorit të Monitorimit në AdZM Lezhë.
“Në kuadër të planit të masave për ruajtjen e zonave të mbrojtura nga veprimtaritë e paligjshme, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara se në zonën e mbrojtur “Laguna Kune-Vain” po kryhej veprimtari e paligjshme, pas një hetimi disamujor, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar "Tjetërsimi i Lagunes".-njofton policia.
Këta shtetas nuk kanë përmbushur detyrat funksionale të përcaktuara në ligjet dhe aktet nënligjore për funksionet e tyre.
Me veprimet dhe mosveprimet e tyre, ata kanë sjellë dëmtimin e zonës së mbrojtur të Kune - Vainit, konkretisht në vendin e quajtur "Grykëderdhja e Matkeqës".
Operacioni vijon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

