Nora Malaj: Kemi prishur sistemin e arsimit, duhet analizë për të kuptuar se përse jemi këtu
Nora Malaj, zv/ministre e arsimit Nora Malaj, tha se shumë pak e njohin arsimin dhe se askush nuk bën analizën për të kuptuar se përse jemi këtu.
E ftuar në emisionin “Ora e Betit” në RTV Ora, me Beti Njuma, Malaj tha se sistemi i arsimit është prishur, ndërsa shtoi se bota po shkon drejt digjitalizimit, ndërsa në vendin tonë kjo metodë nuk funksionoi.
Malaj ceku dhe problemin me gjuhën shqipe duke thënë se provimi nuk është matje e dijes por e kulturës së të shprehurit, e cila nis që nga klasa zero.
Nora Malaj: Të gjithë merren me arsimin por pak kush e njeh arsimin. Asnjëri nuk bën analizën për të kuptuar se përse jemi këtu. Nuk dëgjuam njëherë institucionin politikë bërës të tregonte për të bërë një perspektivë për 10 vite edhe në këtë lëvizje demografike. Sa më mësues na duhen për matematikë, për fizikë, Gjuhë? A do të jetë ky kapital human me standartin që kërkon bota sepse bota po shkon drejt digjitalizimit ndërsa ne na tregoi pandemia se nuk kishim digjitalizim. Nuk arritëm dot ta realizonim mësimin me cilësi. Ne kemi faj, por a mendon ndonjëri se provimi i Gjuhës nuk është matje e dijes por të kulturës së të shprehurit, të kulturës së marrë që nga klasa zero. Kur i pyes studentët se sa libra kanë lexuar, është rast i veçantë kur thonë kemi lexuar 3 libra. Ne kemi prishur sistemin, ka programe shumë të ngarkuara.
