Shembet "Kombinati", Veliaj dërgon rruspat, nxirren në rrugë banorët
Kryebashkiaku, Erion Veliaj, ka hapur një tjetër vatër konflikti me banorët e Tiranës. Fadromat e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit mbërritën në orët e para të mëngjesit të mërkurën, 29 qershor, në zonën e Kombinatit për të rrafshuar 5 shtëpi.
Ndërkohë pronarëve nuk është ofruar asnjë kompensim apo mundësi për strehim.
"Nuk kam ku të shkoj. Të dal unë në rrugë dhe të vijë të hyjë i vdekuri, nuk ka pasur varrezë këtu. Të vijë Erion Veliaj këtu dhe të na gjejë vendin ku të shkojmë."
Familjarët nga jashtë gardhit të shtëpive panë objektet që u rrafshuan, ndërsa u shprehën se nuk dinë se ku do të shkojnë.
"25 vite, ku do të shkojmë ne?"
Dy javë më parë qytetarëve u kishte mbërritur një shkresë me firmën e Mariglen Qatos, drejtuesit të IMT-së.
Argumenti është se objektet janë të kundërligjshme dhe do të shemben për arsye të zgjerimit të varrezave publike të Sharrës.
Disa prej tyre thonë se shtëpitë i kishin në proces legalizimi prej 17 vitesh dhe pikërisht tani ju kthyen përgjigje negative.
"U njoftuam për dy javë për të liruar shtëpinë. 17 vite shteti ku është që nuk na ka dhënë një shpjegim për legalizimin e shtëpisë? Ose të thoshte se këtu është një projekt."
Me gjithë kundërshtimin e banorëve, IMT shembi 4 nga 5 banesat që kishin njoftim për lirimin e objekteve.
E vetmja që shpëtoi nga shembja ishte ajo e familjes Muçalla, e cila kishte një sigurim padie nga gjykata ndërsa banorët e saj kërkojnë dëmshpërblim.
"Gjenocid që i bëhet popullit. Siç bëri serbi me Kosovën, gjenocid. Edhe serbi u dërgonte nga një letër familjarëve dhe u thoshte: Ikni nga këtu! Shteti tallet me popullin. Shpresoj vetëm drejtësi pas vendimit që ka dhënë gjyqtari."




