Izraeli falenderon Shqipërinë për ruajtjen e sigurisë në ndeshjen e 10 qershorit në “Air Albania”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit  të Shqipërisë, Gledis Nano ka zhvilluar një takim me homologun e tij në Izrael, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Izraelit,Yaakov Shabtai.

Nano dhe Shabtai, gjatë këtij takimi, vlerësuan marrëdhëniet mes policisë së dy vendeve.

Shabtai gjatë takimit shprehi mirënjohje për angazhimin dhe përkushtimin e gjitha strukturave shqiptare, gjatë ndeshjes ndërkombëtare të futbollit Shqipëri-Izrael që u zhvillua në  10 qershor, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Gjatë takimit u fol dhe për shkëmbim informacioni, hetime dhe operacione të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimit kibernetik dhe pastrimit të parave.

Yaakov Shabtai bëri me dija se Shqipëria do të ketë mbështetjen e policisë dhe të agjencive së sigurisë izraelite, për të arritur rezultatet e dëshiruara drejt qëllimit të përbashkët, krijimit të një klime të qetë dhe të sigurtë për qytetarët e të dy vendeve dhe më gjerë.