Mbrojtja e ‘botës’ mblidhet sot në Madrid

Agresioni rus në Ukrainë ka ndryshuar agjendën e pothuajse të gjitha organizatave në botë, por në lidhje me Aleancën e NATO-s ndryshimet pritet të jenë pozitive. 30 vendet anëtare mblidhen në Madrid për të vendosur planin e mbrojtjes për dekadat në vazhdim. 

30 liderët e vendeve anëtare të NATO-s takohen sot në Madrid për të zhvilluar samitin e Spanjës, i cili mbahet në mes të agresionit rus në Ukrainë.

Autoritetet spanjolle janë përkujdesur për logjistikën e pritjes së liderëve të vendeve anëtare për samitin i cili është quajtur si më i rëndësishmi për dekadat që vijnë në fushën e mbrojtjes së NATO-s.

KETU LAJMET MINUTE  PAS MINUTE

Në tre ditë liderët do të konkludojnë ndihmën për Ukrainën dhe strategjinë për t’i bërë ballë presionit rus, i cili përpiqet që të frenojnë zgjerimin e NATO-s sidomos në vendet lindore të kontinentit evropian.

Një prej pikave kryesore do të jetë edhe oferta e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO.

Iniciativa e dy vendeve skandinave është ndalur nga Turqia e Rexhep Tajip Erdogan.

Lideri turk ka vendosur veton ndaj shteteve nordike të cilat vendosën t’i jepnin fund neutralitetit ushtarak në muajin maj dhe më pas në fillim të këtij muaji paraqitën kërkesën zyrtare për anëtarësim në Aleancën transatlantike.

NATO pritet që të dalë me një mesazh të fortë, që qartazi do të dënojë rolin e Rusisë e cila përpiqet që të stepë vendet aspiruese që duan të hyjnë në Aleancë, si edhe t’i tregojë Moskës pasojat thelbësore nëse kjo e fundit tenton të shkojë përtej Ukrainës.

Në daljen e tij publike, të hënën sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u zotua se Aleanca do ta gjejë gjuhën e përbashkët për të vijuar ndihmën domethënëse për Ukrainën, sado që lufta të zgjasë.

Kreu i Aleancës madje nxitoi të japë edhe një lajm konkret lidhur me forcimin e strategjisë mbrojtëse të NATO-s.

Stoltenberg tha se NATO do të rrisë me 260 mijë trupa, forcat e gatishmërisë së lartë, nga 40 mijë që Aleanca disponon aktualisht.