Këlliçi: Rrezik që Shqipëria të kthehet në parajsë fiskale, s’është momenti i duhur për të aplikuar amnistinë, ka korrupsion


Reshard Këlliçi, sekretar i Përgjithshëm i Dhomës Amerikane të Tregtisë, ka folur në lidhje me hartimin e projektligjit për amnistinë fiskale, ku të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë territorit do të mund të ligjërojnë deri në 2 milionë euro, pavarësisht sesi i kanë krijuar të ardhurat.

Në një intervistë për RTV ORA me gazetaren Besmira Pelushaj, është shprehur se amnistia fiskale mund të jetë diçka e nevojshme për Shqipërinë, por sipas tij nuk është momenti i duhur pasi në çdo kapilar të shtetit ka korrupsion.

Reshard Këlliçi: Po të flasim për amnistinë fiskale si koncept, patjetër që njihet në botë, është aplikuar, por në këtë moment ne po flasim të aplikosh amnistinë në gjendjen që është sot Shqipëria. Sipas raportit të DASH, korrupsioni shtrihet në çdo kapilar të shtetit. Amnistia fiskale mund të jetë diçka e nevojshme për Shqipërinë por jo në këtë moment. Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka bërë jehonë qëndresës apo opinionit që kanë institucione ndërkombëtare qofshin kështu dhe shtetet që janë partnere strategjike. Ne nuk e kemi bërë përparimin që ne duhet të bëjmë me luftën kundër legalizimit të parasë së pistë. Ne jemi në një betejë të fuqishme, me korrupsionin, me atë që po e shkatërron këtë vend në mënyrë të përditshme.

Ndër të tjera ai tha se: Një nga shqetësimet kryesore është që ekziston mundësia që Shqipëria të kthehet në parajsë fiskale.

Sipas Këlliçit, drafti i hartuar tani nuk ka ndonjë ndryshim të madh me draftin e mëparshëm. I pyetur se si do të ndikojë amnistia në rritjen e krizës ekonomike ai tha se nuk është ky mekanizmi i duhur për të mbushur arkën e shtetit.

Reshard Këlliçi: Ky draft nuk ka ndonjë ndryshim nga drafti I mëparshëm u refuzua. Me krizën ekonomike që kemi, me gjërat që ndodhin, nuk është ky mekanizmi për të shkuar dhe për të mbushur arkën e shtetit. Në gjykimin tim personal, impakti do të ishte i neglizhueshëm, nuk do të lëvizte gjilpëra ekonomike shumë. Nuk është moment I duhur për të folur këtë, për të folur se si paratë e pista do i bëjnë të pastra. Momenti është për të luftuar gjenerimin e parave të pista. Shteti duhet të tregojë që është serioz në luftën kundër korrupsionit.