Kukësi vijon projektin rinovim. Nënshkruan me mesfushorin që spikati te Kastrioti

Ishte një nga lojtarët më të aktivizuar të Kastriotit me 30 ndeshje dhe dy gola të shënuar dhe këto statistika e ndihmuan të bëjë hapin e madh. Arbër Basha nënshkruan me Kukësin ku do të luajë për tre sezonet e ardhshme pasi ka arritur të bindë drejtuesin e ri të stolit verilindor, Skënder Gega.

Ish-mesfushori i Kamzës dhe Kastriotit është prezantuar si blerja më e re e Kukësit dhe në një intervistë për faqen zyrtare të klubit ai deklaron menjëherë pas firmës:

"Është kënaqësi dhe privilegj për mua të luaj me ekipin e qytetit tim. Përveç këtij fakti, do të luaj me një skuadër që çdo vit ka pretendime të larta dhe natyrisht ky është një motivim akoma më i madh për mua. Tifozët e Kukësit janë të mrekullueshëm dhe shpresoj të bëjmë gjëra të mëdha në stadiumin e ri. Shpresoj që të kontribuoj sa më shumë në ekip me gola dhe asiste për të arritur objektivat që kemi. Forca Kukësi".

Pak ditë më parë, një kontratë po 3-vjeçare nënshkroi edhe sulmuesi Jakup Berisha çka konfirmon trendin e klubit verilindor për të ndjekur strategjinë e kontratave afatgjata.