Skriniar-PSG, Interi vendos sërish “veton”
Nuk ka një marrëveshje, “tym i zi” në shtëpinë pariziene për mbrojtësin sllovak, Skriniar. Klubi zikaltër ka refuzuar edhe ofertën e fundit të PSG duke e lënë të bllokuar çështjen e së ardhmes së shtatlartit.
Drejtuesit e klubit francez kanë bërë një tjetër tentativë për të bindur Beppe Marotta-n që mesa duket kërkon të arkëtojë shumën e vendosur si objektiv që në fillim, 70 milionë dhe asnjë qindarkë më pak.
PSG ofroi në tentativën e fundit 60 milionë dhe Julian Draxler por në Milano kanë kthyer pas zarfin sepse nuk dëshirojnë të dëgjojnë për emra të tjerë lojtarësh. Në këtë pikë, Marotta është i palëvizshëm, pavarësisht dëshirës së lojtarit për të ndryshuar ambjent. Raundi i radhës do të zhvillohet të martën por në ajër nuk filtron optimizëm për mbylljen e shpejtë të bisedimeve.
