Kancelari i Austrisë: Vendet e tjera të angazhohen që Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e BE
Në Forumin Europian Wachau, kancelari i Austrisë Karl Nehammer foli për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Ai tha se nuk është i lehtë një rrugëtim, i tillë ndërsa shtoi se duhet të ketë angazhim nga Austria dhe shumë vende të tjera që Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e familjes së madhe evropiane.
“Pra, ne e njohim këtë rrugëtim të mundimshëm, por dallimi ynë në këtë çështje është se ne jemi pjesë e Bashkimit Europian dhe ju nuk jeni, ende jo. Por çfarë duhet? Duhet angazhim, jo vetëm nga Austria, por nga shumë të tjerë. Na duhen të tilla forume, na duhet një shkëmbin në nivel rajonal e po kështu në nivelin e krerëve të qeverisë dhe na duhet konferenca si ajo që përjetuam dy ditë më parë. Ky nuk ishte një efekt ëoë, por 27 krerët e qeverive të shteteve të Bashkimit Europian.“
Me lëvdata ai tha se Kryeministri Edi Rama, ishte zë akuze në emër të Ballkanit Perëndimor.
“Sot Edi është këtu, por dje ishte kryeministri i Shqipërisë që ishte zë akuze në emër të vendeve të Ballkanit Perëndimor për ato gjëra që nuk janë materializuar dhe nuk kanë ndodhur ende.”
Ai tha se në Ballkan ka shumë për të bërë ndërsa shprehu vlerësime për përpjekjet që po bën Shqipëria për sigurimin e sundimit të ligjit, sigurinë e brendshme, transparencën.
“Kryeministri shqiptar ka të drejtë kur thotë “Po, në Ballkan ka shumë detyra për t’u bërë” dhe në Bosnje Hercegovinë ka edhe më shumë që duhet bërë, por nuk mund t’i krahasoni vendet me njëri-tjetrin. Si ministër i brendshëm, unë mund të konfirmoj përpjekjet që ka bërë Shqipëria për sigurimin e sundimit të ligjit, sigurinë e brendshme, transparencën, sidomos në kuptimin europian.”
