Tentuan të vrasin djalin e pronarit të hotelit “Voloreka”, arrestohet pas dy muajsh njëri nga autorët, tjetri në kërkim

Policia arrestoi sot (25 qershor 2022) autorin kryesor të dyshuar për plagosjen e djalit të pronarit të hotelit “Voloreka”, godinë e cila u bë shoshë me plumba dy vite më parë. 

Dy muaj më parë, 25 prill 2022, Griseld Maxhari në bashkëpunim me Firdeus Berberi 21 vjeç akuzohen se sulmuan me armë zjarri, Joan Muçllarin pas një zënke çasti. 

"Ndalimi i shtetasit lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 25.04.2022, në qytetin e Pogradecit, ku 22-vjeçari në bashkëpunim me shtetasin Firdeus Berberi i shpallur në kërkim)tentuan të vrisnin me armë zjarri tip pistoletë Joan Muçllarin, 22 vjeç, banues në Pogradec" informoi sot policia e Korçës.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Me  vendimin e datës 29 Prill 2022, gjykata kishte caktuar për Maxharin masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Vrasja me dashje" kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë; "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit"; "Prishja e qetësisë publike".

Mbetet në kërkim bashkëpunëtori i Griseldit, Firdeus Berberi, i cili është i biri i Ilir Berberit i arrestuar para dy vitesh për ngjarjen e Volorekës.

Joan Muçllari është djali i pronarit të hotelit "Voloreka" në Tushemisht që sulmua me armë kallashnikov në 8 gusht 2020.

Edhe në 2020 djali i pronarit të hotel “Voloreka" u dyshua si shënjestër e atij atentati.