SHISH: Kërkesat e kanabisit në rritje, grupet shqiptare kontakte direkte me prodhuesit, e shkëmbejnë me droga të forta

Shërbimi Informativ Shtetëror vlerëson në raportin për 2021 se grupet kriminale po bëhen përherë e më shumë heterogjene dhe po diversifikojnë fushat e veprimtarisë dhe kundërvënia ndaj trafikimit të lëndëve narkotike mbetet sfidë e rëndësishme, për shkak të evoluimit të mënyrave të operimit të tyre pas goditjeve.

“Anëtarët e grupeve shqiptare të trafikut të drogës kanë krijuar kontakte të drejtpërdrejta edhe me prodhuesit direkt të drogave, duke fituar “besimin reciprok” shkruhet në raportin e SHISH

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Faktorë nxitës dhe tërheqës të aktivitetit kriminal në vend dhe rajon mbeten: anëtarët e tyre të pozicionuar tashmë në vendet e origjinës ku prodhohen lëndët narkotike; lidhjet me rrjete kriminale ndërkombëtare dhe rajonale; realizimi i kërkesave paraprake apo marrëveshjeve të shtyra në kohë për shkak të kufizimeve nga pandemia; mbulimi i kostove të shkaktuara nga sekuestrimet dhe arrestimet.

Një tjetër faktor nxitës i këtij aktiviteti vlerësohet gatishmëria në rritje e grupeve të krimit të organizuar në vendet e origjinës së lëndëve narkotike, për t’u angazhuar me grupe kriminale jo-vendase, gjë që ka ndikuar në zgjerimin e kufijve të këtyre rrjeteve, përtej lidhjeve të mëparshme etnike, familjare apo të karteleve.

Kultivimi i bimëve narkotike i llojit kanabis sativa ka vijuar me zhvendosje të zonave dhe evoluim të mënyrave të ndërthurura në ambiente të hapura dhe të mbyllura.

“Kjo veprimtari e paligjshme favorizohet më së shumti nga kërkesat në rritje për kanabis nga grupe kriminale, përdorimi i tij për shkëmbim me droga të forta si heroinë dhe për mbulim të goditjeve financiare” nënvizohet në raportin e Shërbimit Informativ të publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni.