DASH: Tirana e Shkupi në BE, zgjerimi është jetik
Ndërsa samiti i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor u mbyll pa rezultate në perspektivën e zgjerimit, Departamenti i Shtetit bën thirrje që të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Uashington- Departamenti i Shtetit mbështet fillimin sa më shpejt të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Qeveria amerikane ka lëshuar një deklaratë pas samitit pa rezultate BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt në 23 qershor në Bruksel.
Për Uashingtonin, perspektiva e zgjerimit të BE-së është jetike për stabilitetin dhe prosperitetin e vendeve të rajonit.
Samiti 2 ditor i Bashkimit Europian ka përfunduar pa rezultate konkrete për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në raportin e publikuar pas takimit vihet re se nuk është firmosur nisja e bisedimeve për çeljen e negociatave.
Në një konferencë për shtyp Presidenti Francez Emmanuel Macron përshëndeti vendimin e parlamentit bullgar.
E po kështu edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel i cili tha se votimi për heqjen e vetos bullgare është një lajm i mirë për Tiranën dhe Shkupin.
Mirëpo në Maqedoninë e Veriut, votimi në parlamentin bullgar nuk është përshëndetur, për shkak të kushteve disi të vështira për palën maqedonase.
Sofja kërkon që Shkupi të ndryshojë Kushtetutën dhe të vendosë bullgarët si pakicë etnike në të.
Kujtojmë që përpara disa muajsh, kërkesat e Bullgarisë ishin edhe më ekstreme, përmes të cilave donin që Shkupi ta pranonte se përpara 1945-s, maqedonasit kanë pasur rrënjë bullgare.

