Qafë Thanë/ Ndihmuan në kalimin e mallrave kontrabantë arrestohen dy policë, dy doganierë dhe tre shtetas
Në kohë krize si kjo e çmimeve me të cilën po përballemi ata që fitojnë më shumë janë spekulantët dhe kontrabandistët.
Tre tregtarë nga Librazhdi kishin gjetur një mënyrë përfitimi.
Ata furnizohesin në Maqedoninë e Veriut me mallra ushqimore, pije dhe mallra të tjera, duke shfrytëzuar çmimet me të ulta në vendin fqinj.
Për të maksimalizuar përfitimet, mallin e fusnin kontrabandë nga Pika kufitare e Qafe Thanës duke shmangur detyrimet doganore.
Bule Hila, Florenc Gega dhe Julian Hila u kapën në kushtet e flagrancës me makina të ngarkuara me mall që sapo kishte kaluar kufirin.
Për këtë veprimtari kishin gjetur bashkëpunim me dy doganierë dhe dy efektivë policie pranë Pikës Kufitare të Qafë Thanës të cilëve u jepnin rryshfet.
Hetimet provuan se të përfshirë ishin policët Arjan Hajrulla e Fisnik Mahmutllari, sikurse doganierët Julian Poçe dhe Vladimir Bardhi.
Ata u vunë në pranga me akuzën "Shpërdorim detyre" dhe "Korrupsion pasiv".
Pamjet filmike, treguan se të katër me veprimet dhe mosveprimet e tyre, në kundërshtim me ligjin dhe kundrejt shpërblimeve në para, kanë favorizuar shtetasit e mësipërm në kalimin e mallrave kontrabandë pa kryer procedurën e zhdoganimit.
Zyrtarëve iu kapën si provë edhe paratë që kishin marrë, ndërsa tregtarëve sasi e konsiderueshme ushqime, pijeve të ndryshme, si dhe mallra të tjera.