Vlorë/ Avokatët në protestë përpara Gjykatës së Shkallës së Parë
Avokatët në Vlorë janë mbledhur momentalisht përpara Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë në formë greve dhe bojkoti kundrejt hartës së re gjyqësore.
Sot edhe nesër në Vlorë do të vijojnë të jenë të pezulluara edhe masat e sigurisë. Bojkoti do të vijojë deri ditën e premte të çdo seance gjyqësore në tre gjykatat e Vlorës, shkalla e parë, administrativja dhe apelit.
Dhoma e Avokatisë së Vlorës ishte e para e cila deklaroi bojkotin e seancave gjyqësore teksa sot rreth orës 12:00 pritet të jetë prezent në Vlorë dhe kreu i dhomës së avokatisë Maksim Haxhia.

"Sot do të vazhdohet greva qoftë për çështjet civile dhe ato penale, për dy ditë. Cilat janë problemet tona themelore?
Kjo është e ngjashme me reformën që u bë për Gjykatat Aministrative. U tha që Gjykata me Gjykatën Administrative do të përfundojnë çështjet për 30 ditë dhe brenda 3 muajsh gjithë procesi gjyqësor. Kaluan vite të tëra dhe proceset gjyqësore nuk përfundojnë jo për 30 ditë po as për 30 vjet dhe u detyruan ta ndryshonin ligjin ta bënin pa afat. Pra kjo është një reformë krejtësisht e pastudiuar sepse bëhen nga njerëz joprofesionistë, njerëz që se njohin fare praktikën gjyqësore dhe terrenin.
E dyta, ka qenë me një Gjykatë Apeli në Tiranë. Dështoi, dhe u bë me 6. Nuk thuhet asnjë argument pse nga një u bënë gjashtë. Cilat ishin faktorët që ndikuan që u bënë gjashtë dhe pse nga gjashtë duhet të bëhen një. Pra duhet të ballafaqohen këto dy fakte dhe të arrihet në një përfundim.
Është edhe fakti që thonë shërbimi afër qytetarëve. Si qenka shërbimi afër qytetarëve është këtu, të bëhet këtu jo në Tiranë. Avokatët që kanë procese gjyqësore mesatarisht duhet të shkojnë dy herë në javë në Tiranë. Ka kosto edhe për këtë dhe ne jemi kundër totalisht. Ky është një dështim që shumë shpejt do të rregullohet," shprehet nje nga avokatët.
I pyetur se pse bëhet një gjë e tillë ai shprehet se kjo bëhet për interesa të ngushta të atyre që e drejtojnë këtë reformë.