Eurostat publikon shifrat, Shqipëria sërish e fundit në Europë për të ardhurat për frymë dhe konsumin
Shqipëria mbetet e fundit në Europë për të ardhurat për frymë për vitin 2021. Këtë e bëjnë të ditur të dhënat e fundit të publikuara nga Eurostat.
Konsumi aktual individual për frymë në 2021 për Shqipërinë rezulton 32% e mesatares europiane.
Sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor, Bosnjë Hercegovina ka të ardhura për frymë sa 33% të mesatares së BE-së, ndërsa Maqedonia e Veriut 42%. Serbia rezulton me të ardhura për frymë 44% të mesatares europiane, Mali i Zi 47% ndërsa Kosova nuk përfshihet në statistikat e nxjerra nga Eurostat.
Në vitin 2021, nëntë shtete anëtare regjistruan AIC(Konsumi aktual individual për frymë) mbi mesataren e BE-së. Luksemburgu (46%) ishte i vetmi shtet anëtar që regjistroi AIC për frymë 25% më shumë mbi mesataren e BE-së. Në Danimarkë, Gjermani, Holandë, Belgjikë, Austri, Suedi, Finlandë dhe Francë, nivelet ishin 10% ose më shumë mbi mesataren e BE-së.
Në trembëdhjetë Shtete Anëtare, AIC për frymë ishte midis mesatares së BE-së dhe 25% më poshtë. Në këtë kategori, kishte dallime të rëndësishme në të gjithë Shtetet Anëtare: në Itali, Lituani, Qipro dhe Irlandë, nivelet ishin 10% ose më pak nën mesataren e BE-së, ndërsa Sllovenia, Spanja, Çekia, Polonia, Portugalia, Malta dhe Rumania ishin ndërmjet 11% dhe 20% më poshtë. Estonia dhe Greqia ishin përkatësisht 21% dhe 23% nën mesataren e BE-së.
Në vitin 2021, PBB për frymë e shprehur në PPS varionte ndërmjet 55% të mesatares së BE-së në Bullgari dhe 277% në Luksemburg. Dhjetë shtete anëtare regjistruan një nivel të PBB-së për frymë mbi mesataren e BE-së në vitin 2021./Eurostat/