Grupi Parlamentar i PD i dorëzon Kuvendit mocionin për heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës
Grupi Parlamentar i PD i ka drejtuar kërkesë Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e mandatit të deputetes për Ministren për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhacka.
14 deputetë demokratë i kërkojnë Kuvendit, ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit për Olta Xhaçkën.
Sipas tyre Xhaçka ka ushtruar mandatin e deputetit në kundërshtim me Kushtetutën duke ushtruar veprimtari fitimprurëse nga shteti nga shoqeria tregtare në pronësi të bashkëshortit të saj Artan Gaci.
Në kërkesën e Grupit Parlamentar të PD thuhet se kompania AG. TCC shpk në pronësi të bashkëshortit të ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka ka përfituar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli me 5 yje në një sipërfaqe prej 10.592 m2 dhe me vlerë rreth 5.5 milion euro, në Gjilekë Bashkia Himarë.
Kjo kompani ka përfituar masa lehtësuese nga Komiteti i Investimeve strategjike. Kjo shoqëri ka përfituar masën mbështetëse të lejimit të përdorimit të bregut para hotelit për një periudhë 30 vjeçare. Gjithashtu subjekti ka përfituar dhe incentivën e reduktimit të TVSH-së.
“Dhënia e pasurisë publike për qëllime fitimi dhe ushtrimi të veprimtarive fitimprurëse, është bërë në shkelje flagrante të ndalimeve kushtetuese dhe ligjore, që ndalojnë deputetin dhe për efekt të ligjit bashkëshortin e tij, të përfitojë pasuri të shtetit apo të kryejë veprimtari fitimprurëse që burojnë nga pasuritë e shtetit. Ky fakt përbën shkelje të rëndë të ligjit, që passjell mbarimin/pavlefshmërinë e mandatit të deputetit, sipas neneve 70/2-3 dhe 71/2/c të Kushtetutës” – thuhet në mocionin e dorëzuar nga deputetët e PD.
Ditën e djeshme ishte deputeti demokrtat Agron Shehaj ai i cili deklaroi për mbledhjen e firmave për çuarjen e kërkesës në Kushtetuese për heqjen e mandatit Xhaçkës.
Emrat që firmosën kërkesën:
1.Gazmend Bardhi
2.Jorida Tabaku,
3.Lefter Gështenja
4.Flamur Hoxha
5.Ferdinand Xhaferaj
6.Ilda Dhori
7.Arbi Agalliu
8.Saimir Koreshi
9.Oriola Pampuri
10.Seladin jakupllari
11.Kheni Xherxhi
12.Merita Bakiu
13.Dashnor Sula
14.Emilia Koliqi
Në mocionin e deputetëve demokrat sqarohet se nga dokumentacioni bashkëlidhur rezulton e provuar se shoqëria tregtare AG. TCC shpk ka përfituar të drejën për të kryer veprimtari fitimprurëse që burojnë nga pasuria e shtetit dhe pushtetit vendor, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve në fushën e turizimit, në kohën në të cilën ka ushtruar mandatin e deputetit. “Ligji nr. 9367/2005 parashikon shprehimisht në nenin 35 të tij se “në rast se aksionet apo pjesët në kapital janë të regjistruara në emrin e personit të lidhur (që sipas ligjit është bashkëshorti), ato vlerësohen njëlloj si të ishin të regjistruara në emër të vetë zyrtarit.
Për pasojë, në kuptim të ligjit dhe për efekt të zbatimit të ndalimit kushtetues/ligjor, shoqëria tregtare AG. TCC shpk konsiderohet në pronësi të vetë ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka. Për pasojë, përfitimet nga pasuria e shtetit, që burojnë nga vendimi nr. 3/5, datë 29/03/2021 “Për miratimin e statusit “investim/investitor strategjik procedurë e asistuar” për projektin e investimit “DREAMADES LUXURY SUITES”, janë përfitime të ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka.” - sqarojnë deputetët e opozitës.