Mbledhja e dy qeverive/ Varaku: Fshihet vullneti i hekurt i SHBA, për të çuar përpara marrëveshjen e Uashingtonit
Dy qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, në mbledhjen e ditës së sotme (20 qershor) kanë nënshkruar 19 marrëveshje ndërqeveritare. Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se në takime të tilla në të kaluarën janë nënshkruar 127 marrëveshje kurse janë zbatuar 75 prej tyre.
Ndërkohë analisti Redi Varaku, në një intervistë për RTV Ora me gazetarin Sebastian Zonja , takimin me liderëve të vendit e ka konsideruar mekanik. Sipas tij marrëveshjet që u nënshkruan një përmbushje e asaj marrëveshje në Uashington, më 4 shtator të vitit 2020.
Redi Varaku: E shikoj si një takim mekanik mes liderëve. Këtë takim dhe marrëveshjet që u nënshkruan i shohë si përmbushje në kuadër të marrëveshjes që u vendos në Uashington.
Sipas tij pas këtyre marrëveshjeve qëndron një vullnet i hekurt me qëllim që situata në Ballkan të përmirësohet.
Redi Varaku: Shoh një vullnet të hekurt që qëndron pas tyre në mënyrë që situata në Ballkan të vijë duke u përmirësuar dhe që konflikti mes Serbisë dhe Kosovës të vijë drejt fundit, dhe në mënyrë që i gjithë rajoni të shkojë drejt BE.
Për Varakun pas vullnetit të dy liderëve, fshihet dhe vullneti i hekurt i administratës amerikane.
Redi Varaku: E shoh si një vullnet të hekurt të administratës amerikane, për të çuar përpara marrëveshjen e cila u nënshkrua në Uashington, nëpërmjet Avdullah Hotit dhe Aleksandër Vuçiç.
Duket si një bashkim mekanik i imponuar me vullnet shumë herë më të fortë se vullneti i dy protagonistëve për të cilët flasim.
