Rama gju më gju me fermerët në Dibër, provon qershinë si "mollë" dhe lëngun e boronicës

Kryeministri Edi Rama e shfrytëzoi qëndrimin e tij këtë fundjavë në Dibër për të vizituar dhe parë nga afër plantacionet frutore në Peshkopi, ato me mollë dhe qershi.

Për tu paraprirë kritikave Rama e ngriti vetë problemin e mungesës së tregut për prodhimet bujqësore.

Por fermerët e mëdhenj e shohin problemin te vetë fermerët.

"Vjen molla fuxhi nga Italia, për Zotin më vjen inat po nuk kam çfarë bëj, shitet në Dibër me 2 mijë lekë. Ne jemi prodhuesit e mollës. Pse? Nuk kemi mbjellë atë që kërkon konsumatori. Ishalla po rregullohet kjo punë, jemi të detyruar ta ndreqim. Kur të mbillet toka duhet me pyet njëherë çfarë kërkon tregu".

Rama insistoi të kuptojë se pse fermeri me të cilin po bashkëbisedonte nuk kishte problem me shitjen e qershisë ndërkohë që shumë të tjerëve u kalbet.

"Është varieteti. E kam lexuar konsumatorin prandaj e shes. Duhet të pëërmirësojnë teknologjinë, varietetin, të pyesin kur ta trajtojnë, me çfarë ta ushqejnë dhe tregun e kanë të garantuar. Filloj që në maj vjeljen e qershisë. Ky tjetri është një varietet i Dibrës".

Shefi i qeverisë nuk mund të merrte të mirëqenë reklamën e qershive pa provë.

Rama: Kjo nuk është si qershi por si mollë e vogël.

"Ka ardhur nga Franca si varietet, e kemi shartuar, shumëfishuar. Është e shitur, çmimin ja vë sa të duash. Nuk ke nevojë të lusësh tregtarin".

Rama: Qershitë që nuk shesin duhen shartuar?

"Duhen shkulur fare".

Rama: Duhen ekzekutuar fare?

"Duhen ekzekutuar."

Kryeministri testoi edhe lëngun e boronicës të prodhuar prej tyre.

Ndërsa Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, tha se me bashkinë e Bulqizës do të ndërtojnë një treg brenda këtij viti ku fermerët e vegjël të shesin prodhimin.

Të njëjtin model do ta implementojnë dhe në Tiranë me tregun në Farkë.