Aksidenti me vdekje në Vaun e Dejës, në pranga drejtuesi i motoçikletës që u përplas me zetorin
Policia e Shkodrës ka arrestuar drejtuesin e motoçikletës që u përplas një ditë më parë me një mjet bujqësor në Vaun e Dejës dhe për pasojë humbi jetën drejtuesi i zetorit.
Në pranga ka rënë Artur Lulaj, 37 vjeç, banues në Balldre. Ai akuzohet për veprat penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
"Ky shtetas, më datë 17.06.2022, duke udhëtuar me një motoçikletë që e drejtonte pa leje drejtimi, në fshatin Rranxa, Vau i Dejës, është përplasur me një mjet bujqësor (zetor), me drejtues shtetasin E. Rr., 38 vjeç, banues në fshatin Rranxa dhe si pasojë e përplasjes mjeti bujqësor është përmbysur.Drejtuesi i mjetit bujqësor u dëmtua gjatë aksidentit dhe për pasojë ndërroi jetë" sqaron policia.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
