Parashikimi i zymtë i Bozdos: Çmimi i naftës do rritet më tej, qeveria e kalon krizën me duar në xhepa duke fishkëllyer
Çmimet e karburanteve arritën një tjetër rekord sot por anëtari i Kryesisë së PD, Eno Bozdo, thotë se rritja do vijojë më tej.
Për Rtv Ora ai thotë se qeveria nuk po i përgjigjet situatës ndërkombëtare me ulje zbutje të barrës fiskale për naftën apo paketë mbështetëse për shtresat në nevojë.
Bozdo: Çmimi do vazhdojë të rritet. Përballë kësaj situate ndërkombëtare kemi një qeveri që nuk ka ndërmend të bëjë asnjë ndërhyrje në zbutjen e barrës fiskale që mbart çmimi i naftës. Shqipëria është vendi i 17 në botë me naftën më të shtrenjtë dhe vendi i vetëm në botë që edhe pse për hir të krizës ka një sufiçit buxhetor 360 mln euro në 5 mujorin e parë nuk ka akorduar ende një paketë mbështetëse për shtresat në nevojë, ekonominë.
Ngritja e Bordit të Transparencës sipas tij nuk ka bërë gjë tjetër përveçse e ka shndërruar kartelin e grosistëve të naftës në një kartel shtetëror.
Bozdo: E vetmja e re që po aplikon qeveria është që një karteli ekzistues të grosistëve të naftës me 4-5 veta i janë shtuar dhe 3-4 të tjerë që janë përfaqësues të qeverisë. Për fat të keq ky është bërë një kartel shtetëror. Vendon për rritje apo ulje të çmimit pa dhënë asnjë argument.
Çmimi i lartë ka reduktuar ndjeshëm konsumin e naftës. Bozdo shpjegon dhe arsyet.
Bozdo: Konsumi do ulet në mënyrë normale se çmimi është i papërballueshëm. Së dyti qytetet kufitare e kanë më të thjeshtë të furnizohen në shtetet e tjera të rajonit ku çmimi është më i ulët. Qeveria jo vetëm nuk do të bëjë atë që ka detyrë por nuk kupton matematikën e thjeshtë të shifrave se reduktimi i çmimit kthen në situatë normale sasinë e naftës që konsumohet dhe arka e shtetit nuk do humbë asnjë lek. Kemi të bëjmë me një Qeveri të paaftë në mos e korruptuar që një krizë botërore e kalon me duar në xhepa duke fishkëllyer.

