Peleshi për zjarret: Nuk është e zgjuar të investosh 50 mln euro për një avion dhe dhjetëra të tjera për mirëmbajtje
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka mbajtur takimin e sistemit të mbrojtjes civile, me përfaqësues të bashkive dhe prefekturave Korçë, Elbasan dhe Berat.
Gjatë takimit ministri ka kritikuar bashkitë, duke u shprehur se duhet të japin me tepër fokus menaxhimit të emergjencave civile, për të ndërtuar kështu sektorët e veta në secilën bashki.
I pyetur nga gazetarët në fund të takimit mbi ishullin e Sazanit dhe flakët që përfshinë ishullin, ai shprehet se ishulli nuk u dogj por pati zjarr.
"Ushtarët dhe ushtria luajti një rol të veçantë ne fikjen e flakëve e se pikërisht bashkëpunimi me vendet e tjera përreth dha rezultatet të cilat u panë".
I pyetur nëse bashkitë kanë luajtur rolin e tyre në këtë sistem (emergjencat civile) ai shprehet se ka shumë bashki në Republikën e Shqipërisë që nuk po luajnë rolin që u takon në bazë të ligjit dhe se duhet të marrin me tepër seriozisht këtë situatë.
Lidhur me mungesën e avionëve për shuarjen e zjarreve, Peleshi shprehet se nuk është e zgjuar te shpenzosh 50 milion euro në blerjen e një helikopteri e dhjetëra miliona euro të tjera në mirëmbajtjen e tyre, sesa të bashkëpunosh dhe jesh brenda Komitetit Europian të Emergjencave Civile, të cilat bëjnë që vendi ynë të marrë ndihmën e kërkuar në kohën që ajo nevojitet.
Por a do të mbetet fati i zjarreve këtë verë në duart e shteteve të huaja?
Ai thotë jo. Përkundrazi, sipas tij, Ministria e Mbrojtjes, bashkitë dhe prefekturat do të kenë në dorën situatën këtë verë dhe se ne kemi gjithë kapacitetet që nevojiten për të përballuar situatën e zjarreve.
"Në momentet kur situata do të kërkojë ndihmë ndërkombëtare, nuk është turp të kërkosh ndihmën e shteteve bashkëpunuese të huaja".
