Mësuesi i Histori-Gjeografisë në skemën e hakërimit, zbulohet roli i tij dhe si i fundosi kosovari që i vodhën adresën

Pashuk Alia me profesion mësues i Histori-Gjeografisë në fshatin Mzi në Fushë Arrëz ishte i përfshirë në një skemë hakërimi sëbashku me 37-vjeçarin Liridon Peka.

Ky i fundit, i cili kishte aftësi të mira kompjuterike akuzohet se hakëronte adresa facebooku dhe më pas u kërkonte pronarëve nga 900 euro e lart.

Në momentin që shtetasit e hakëruar binin dakord që t'ja jepnin, mësuesi Pashuk Alia kryente marrjen e parave në pikat e Western Union.

Për këtë lëvizje të Pashukut, i riu Peka e shpërblente mësuesin nga 4-10 mijë lekë.

Hetimet janë kryer nga Njësia C pas denoncimi të një shtetasi nga Kosova, i cili kishte rënë pre e kësaj skeme kibernetike.

Sipas burimeve, Peka dhe Alia jetonin në zonën e Freskut në Tiranë. Gjatë kontrollit në banesën e tyre policia sekuestroi një pajisje kompjuterike, dy aparatë celularë, dokumehta arsimorë të dyshuara të falsifikuara dhe dokumente institucionesh financiare dhe dokumente të tjera të ndryshme si prova  në hetimin e nisur për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik“, kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikim i dokumenteve shkollore”.

Liridon Peka rezulton të jetë vëllai i Erenik Pekës, i cili më herët ka qenë i proceduar për mashtrim dhe ndërhyrje të paligjshme në rrjetet kompjuterike.