Lufta e Kosovës, Vuçiç: Serbia e gatshme për marrëveshje për të pagjeturit

Presidenti i Serbisë, Aleksandwr Vuçiç, tha se Serbia është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën për personat e zhdukur në luftë.

“Ne jemi të gatshëm të nënshkruajmë marrëveshje për personat e pagjetur. Jemi të vetëdijshëm se duhet të jetojmë pranë njëri-tjetrit”, tha Vuçic pas vendosjes së kurorave me lule në Monumentin e Heronjve të Koshares, në Beograd.

Ekipet nga Kosova dhe Serbia janë takuar disa herë për të diskutuar çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, më 1998-99.

Kjo çështje është ngritur edhe në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, i cili zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Velko Odallovic, të shkarkohet nga pozita e kreut të Komisionit serb për Personat e Zhdukur, pasi ai është anëtar i Partisë Socialiste të Serbisë. Kjo e fundit, në vitet 1990, është udhëhequr nga presidenti i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviç.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13,000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800,000, ndërsa janë zhdukur rreth 6,000. Të zhdukur, edhe sot e kësaj dite, mbeten ende mbi 1,600 persona. Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi.

Komisioni i Qeverisë së Kosovës për Personat e Pagjetur ka thënë se, edhe pse ka kërkuar vazhdimisht nga përfaqësuesit e institucioneve serbe që të ndajnë informacione nga arkivat e tyre, përfshirë edhe për Shtavalin, “një gjë e tillë nuk ka ndodhur”.