PE: Marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë të bazohet në njohjen reciproke

Komisioni i Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme (AFET) ka miratuar të martën raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën.

Në raportin për Kosovën i bëhet thirrje Këshillit të BE-së që urgjentisht të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Në atë të Serbisë për herë të parë thuhet se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të "bazohet në njohjen reciproke". Raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilçik, i cili vjen nga sllovakia, shtet ky që nuk e ka pranuar Kosovën, e ka kundërshtuar një formulim të tillë.

Kurse, në raportin e Bosnjës dënohet ashpër çdo përpjekje, e cila minon shtetësinë e këtij vendi.

Pas votimit në Komisionin për Politikë të Jashtme, raportet për të tria shtetet do të diskutohen dhe do të miratohen si rezoluta të Parlamentit Evropian.

Këto rezoluta kanë peshë politike, por nuk janë obliguese për vendet anëtare të BE-së.

Në raportin për Kosovën që e kishte prezantuar raportuesja për Kosovën në këtë trup, Viola von Cramon, theksohet se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave që në vitin 2018, por akoma nuk është miratuar vendimi për liri të lëvizjes.

Në raport përfshihet edhe mbështetja ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, aspiratat e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, sikur edhe thirrja për pesë vendet anëtare të bllokut evropian, të cilat nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.

Kosovës i bëhet ftesë të vazhdojë procesin e reformave, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndonëse konstatohet se Kosova ka shënuar një përparim në këtë drejtim.

Sipas raportit, Parlamenti Evropian shprehet i kënaqur që Kosova u është bashkuar të gjitha qëndrimeve të BE-së për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, ka shpallur sanksione, dhe me një rezolutë të veçantë në Kuvend ka dënuar këtë agresion.
Megjithatë, Kosova është kritikuar për situatën në gjyqësor.

Është shprehur shqetësim me arsyetimin se gjyqësori vazhdon të jetë joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndërhyrjeve politike.