Dita e lirisë së Kosovës, 12 qershor ‘99, NATO hyn në Kosovën e çliruar nga pushtimi serb
U desh një shekull përpjekje e lëvizje për liri, për të kulmuar me UÇK-në, e bashkë me bombardimin 78 ditor të NATO-s ndaj Serbisë, që Kosova të festonte e lirë 12 qershorin e vitit 1999. Kosova martire, nën emrin e madh të kundërshtarëve të pushtimit serb dhe legjendarit Adem Jashari ja mbërriti që të çlirohej dhe të formonte mëvetësinë e saj.
Akti kulmor i vetëflijimit për liri i gjithë familjes Jashari ishte një moment kthese në luftën për liri të Kosovës martire.
Lufta e Jasharëve për liri dhe dinjitet, si dhe dalja e pamjeve të gjenocidit serb në Reçak e vende të tjera, sensibilizoi komunitetin ndërkombëtar se një popull po zhdukej nga makineria gjenocidale e Milosheviçit.
Një shekull përpjekje, që nga ndarja e padrejtë e vitit 1913-të e kufijve administrativë, kulmoi me shfaqjen e UÇK-së si bashkim vullnetar për të çliruar atdheun nga zgjedha serbe.
Kur aleatët amerikanë e panë se shqiptarët e kanë seriozisht çlirimin e atdheut të tyre nga pushtimi serb, edhe ata u bindën për të ndërhyrë me fuqinë e tyre të stërmadhe ushtarake në mbrojtje të shqiptarëve të lënë jetim.
U deshën 78 ditë bombardime të NATO-s mbi pushtuesin serb që makineria gjenocidale të kapitullonte. Forcat e NATO-s hynë në Kosovën e pavarur, në Kosovën e lirë. Kosova kishte realizuar aspiratën e saj.
Përball një makinerie të përbindshme që shkaktoi gjenocid edhe në Srebrenicë, luftë në Kroaci, shqiptarët e Kosovës u çuan në luftë ashtu si e përshkruan edhe Noli i madh: “A të duhen luftëtarë? A do botës t'i vesh zjarr? Do armiku arratinë të marrë? Merr nja dhjetë Kosovarë!”
Datat kanë një mistikë brenda vetes, sepse më datën 10 qershor shqiptarët përkujtojnë Lidhjen e Prizrenit, një datë e skalitur në procesin e kombformimit shqiptar, teksa më 12 qershor festojnë pavarësinë e shtetit të dytë shqiptar, Kosovës.
