Tenderat abuzivë në Vlorë/ KLSH fundos 44 vartës të Kryebashkiakut Dritan Leli
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar tendera të dyshimtë gjatë auditit në Bashkinë e Vlorës ka rekomanduar ndëshkimin e 44 vartësve të kryebashkiakut Dritan Leli.
Auditi disa mujor i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar shkelje në Bashkinë e Vlorës, që drejtohet nga i zgjedhuri i socialistëve, Dritan Leli.
Raporti nuk është ende zyrtar, por burime thonë se bëhet fjalë për abuzime me tenderat që ky institucion ka realizuar.
Të paktën 44 punonjës të Bashkisë së Vlorës, janë gjetur përgjegjes me dokumente nga inspektorët e Kontrollit të Lartë të Shtetit të cilët kanë rekomanduar masa ndëshkuese.
8 zyrtarë, 5 prej të cilëve në rang drejtori dhe 3 specialistë janë përjashtuar nga Shërbimi Civil.
28 punonjës kanë humbur të drejtën e ngritjes në detyrë për shkak të shkeljeve që u janë gjetur, ndërsa 8 të tjerë mes të cilëve administrator të njësive kanë marrë vërejtje.
Drejtorë dhe punonjës të tjerë kanë marë masa disiplinore.
Prokurimet publike janë një prej proceseve më problematike të qeverisë qendrore dhe vendore në Shqipëri.
Rreth 50% e Bashkive në vend gjatë vitit 2022 janë evidentuar me procedura të ankimuara.
Bashkia e Tiranës ishte në krye të listës sipas buletinit të Komisionit të Prokurimit Publik gjatë muajit shkurt.
Nga 62 procedura të ankimuara, 48 i përkasin institicionit të drejtuar nga Erion Veliaj.
Mungesa e konkurrencës mes operatorëve është arsyeja kryesore.
Publikimi I plotë I raportit të Auditit, ndërkohë pritet të zbulojë tenderat e dyshuar abuzive në bashkinë e Drejtuar nga Dritan Leli.
