Kërkesa: Mosha për marrëdhënie seksuale në Shqipëri të rritet nga 14 në 16 vjeç
CRCA/ECPAT Shqipëri kërkojnë ndryshime ligjore për marrëdhëniet seksuale me të miturit, si një përpjekje për të mbrojtur fëmijët.
CRCA/ECPAT Shqipëri, kanë bërë publike këtë javë propozimet ligjore në mbrojtje të fëmijëve nga pedofilët dhe grabitqarët seksualë.
Në këtë shkresë kërkohet ndryshimin e moshës seksuale në të cilën lejohet fillimi i marrëdhënieve seksuale, në 16 vjeç, nga 14 që është momentalisht.
Propozimi i është drejtuar në një seancë dëgjimore Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.
“Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë në nenin 100 të tij përcakton moshën 14 vjeç si mosha kufi minimale në të cilën një adoleshent apo adoleshente mund të hyjë në marrëdhënie seksuale. Një ligj ky që mbron në raste pedofilie të rriturit që kryejnë marrëdhënie me të mitur. Por në Shqipëri, kjo duket se kthehet në një situatë e cila favorizon grabitqarët seksuale dhe pedofilët, të cilët mund të mbështeten në këtë ligj për të detyruar apo për të kërkuar marrëdhënie seksuale edhe me fëmijët të moshës 14 vjeç, duke mos u penalizuar aspak nga ligji. Përveç vendeve të lindjes në Evropë, tashmë pothuaj të gjitha vendet e tjera e kanë rritur tashmë moshën minimale kufi të hyrjes në marrëdhënie seksuale në 15 dhe 16 vjeç.” – thuhet në kërkesë.
Ndërkohë, drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj, u shpreh se fëmijët kanë nevojë për më shumë mbrojtje, siguri dhe kujdes në jetën e tyre, përfshi këtu edhe mbrojtje më të mirë nga ngacmimet dhe dhuna seksuale.
Ai theksoi se legjislacioni shqiptar duhet të jetë në linjë me kërkesat dhe standardet e Konventës së Lanzarote të Këshillit të Evropës dhe direktivat e Bashkimit Evropian.
“Në vendin tonë, rastet e abuzimit me marrëdhëniet seksuale me të mitur të moshë 14 vjeç e sipër, janë rritur dhe janë kthyer në një ndër problematikat kryesore për opinionin shqiptar. Nga ana tjetër grabitqarët seksualë kërkojnë gjithnjë e më tepër viktima të moshës 14 vjeç e sipër për të anashkaluar problemet me ligjin dhe pa u cilësuar aspak të tillë.” – shtoi Hazizaj.
