Avokati Saimir Visha kundër bojkotit të seancave gjyqësore: Nuk është zgjidhje
Avokati Saimir Visha është kundër vendimit të Dhomës së Avokatisë për të bojkotuar seancat gjyqësorë pas miratimit nga KLGJ i hartës së re gjyqësore, e cila redukton ndjeshëm numrin e gjykatave të shkallës së parë dhe Apelet.
Saimir Visha: “Pajtohemi me shqetësimin që kanë të gjithë kolegët tanë por mendoj se greva nuk është mjeti për të realizuar qëllimin. Dhoma e Avokatëve i ka të gjitha mundësitë, mjetet e aksesin për tu drejtuar në Gjykatën Kushtetuese" tha ai në një prononcim për mediet paraditen e sotme para Gjykatës Speciale.
Protesta e avokatëve kundër hartës së re gjyqësore, e inicuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë u bë shkak për dështimin e seancave të qindra proceseve gjyqësore. Avokatët kanë paraqitur kerkesa për shtyrjen e seancave ndërkohë që nga Ministria e Drejtësisë nuk ka ende një reagim për situatën e krijuar.
Saimir Visha: "Ne me grevën nuk nënkuptojmë të jenë ditë pushimi. Do u përgjigjem interesave të klientëve tanë që kanë paguar për të marrë shërbimin. Rruga nuk është zgjidhje. Ka vend që Dhoma e Avokatisë të bashkëpunojë me KLGJ. Ka vend për shqetësim por mjeti më i mirë është ankimimi në Kushtetuese"
Sipas vendimit të Dhomës së Avokatisë bojkotimi i seancave gjyqësore do vazhdojë deri në 17 qershor.