Banorët e By Passit të Shkodrës nuk kanë rrugë ku të kalojnë
Banorët e By Pass-it të Shkodrës rrezikojnë jetën çdo ditë për të kaluar në krahun tjetër të rrugës. Vendosja e barrierave të hekurit sipas tyre bllokon qarkullimin dhe u pamundëson lëvizjen.
Në rast të një urgjence shëndetësore apo zjarri, ambulanca dhe zjarrfikësja nuk ka ku të kalojë.
"Jemi disa familje këtu që disa herë jemi ankuar por askush nuk na ka dhënë përgjigje. Nëse kam një vdekje në shtëpi nuk kam ku kaloj" thonë banorët.
Në një pjesë të rrugës barrierat ende janë në proces vendosje, prandaj kërkojnë lënien e rrugëve të kalimit, ose hapjen e rrugëve brenda lagjes, pasi në të kundërt do të detyrohen t’i dëmtojnë këto pengesa prej hekuri.
"Kemi shkuar tek bashkia, bashkia na thotë e ka në dorë firma. Vetë firma na thotë e ka në dorë bashkia" thotë një tjetër banor.
By passi i Shkodrës u inaugurua vetëm pak muaj më parë nga ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, por rezulton ende në punim e sipër dhe në disa zona është dëmtuar nga banorët, të cilëve nuk u janë lënë hyrje-dalje në rrugët dytësore drejt shtëpive të tyre.

