Rama pesimist: Nuk pres të çelen negociatat
Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se nuk pret që samiti i BE-së javën e ardhshme t'i hapë rrugën vendit të tij për të filluar bisedimet e anëtarësimit dhe fajësoi Bullgarinë.
Të gjitha qeveritë e BE-së ranë dakord që në mars 2020 t'i japin Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dritën jeshile për të filluar bisedimet e anëtarësimit. Por, negociatat nuk kanë nisur ende pasi Bullgaria këmbëngul se donte lëshime nga Maqedonia e Veriut në mosmarrëveshjet dypalëshe për sa i takon gjuhës, historisë dhe identitetit.
Megjithëse bllokada e Sofjes vlen vetëm për Maqedoninë e Veriut, BE-ja insiston që anëtarësimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të jetë së bashku – kështu që edhe Shqipëria bllokohet.
Kancelari gjerman Olaf Scholz vizitoi Bullgarinë javën e kaluar në një përpjekje për të kapërcyer bllokadën e Sofjes përpara samitit të ardhshëm në Bruksel, i cili zhvillohet të enjten dhe të premten e javës së ardhshme. Por, në një intervistë për POLITICO, Rama e bëri të qartë se ishte pesimist.
“Nuk kam asnjë pritshmëri. Mendoj se asgjë nuk do të ndodhë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të hapin zyrtarisht bisedimet për anëtarësim”, tha ai, i ulur në një kolltuk lëkure kafe në zyrën e tij në Tiranë.
I pyetur nëse ndonjë lider i BE-së kishte sinjalizuar se bisedimet mund të fillojnë së shpejti, Rama u përgjigj: “Çfarë sinjalesh mund të japin? Nuk ka të bëjë me ta. Përsëri, bëhet fjalë për Bullgarinë. Të gjithë janë dakord, të gjithë mbështesin, të gjithë mendojnë se kjo duhet të ndodhë, dhe kjo duhet të kishte ndodhur tashmë. Por kufiri i tyre i manovrimit është i kufizuar nga Bullgaria.”
Rama thotë se ai nuk pret që krerët bullgarë të ndryshojnë qëndrimin e tyre, pasi ata e kanë kthyer mosmarrëveshjen në një çështje kaq të madhe sa që ështe shumë e vështirë të tërhiqesh.
“Është një spirale. Ata kanë hyrë në një spirale. Dhe nga kjo spirale, është shumë, shumë e vështirë të dalësh”, deklaroi Rama, i cili do të marrë pjesë në një takim të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Bruksel përpara samitit.
Zyrtarët bullgarë kanë mbrojtur qëndrimin e tyre, duke këmbëngulur se ata thjesht po i kërkojnë Maqedonisë së Veriut që t’u përmbahet angazhimeve të mëparshme dhe të kërkojë të mbrojë të drejtat e bullgarëve në vend.
Maqedonia e Veriut, nga ana e saj, ka deklaruar se po bën përpjekje me mirëbesim për t’u angazhuar me Sofjen dhe theksoi se ”një mosmarrëveshje dypalëshe nuk duhet të pengojë fillimin e bisedimeve midis BE-së dhe një anëtari të mundshëm”.
Rama konfirmoi se nëse nuk ka përparim këtë muaj, ai do të kërkojë që oferta e Shqipërisë për anëtarësim të trajtohet veçmas nga ajo e Maqedonisë së Veriut – një hap që BE deri tani ka hezituar ta ndërmarrë, me zyrtarët që argumentojnë se do të ishte më mirë për stabilitetin rajonal nëse dy fqinjët mund të përparonin së bashku.
“Nëse asgjë nuk ndodh në qershor, ne do të kërkojmë të ndahemi nga ky çift, që tashmë po humbet vazhdimisht”, tha Rama.
“Kam besim se kjo është ajo që duhet të bëjmë dhe, nëse udhëheqësit e BE-së do të pajtohen apo jo, këtë do ta shohim”, shton ai.