Harta e re Gjyqësore, Baçi: Vështirësi dhe kosto financiare për qytetarët. PD do hedh çdo hap për të kundërshtuar këtë reformë

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, ka komentuar Harta e re Gjyqësore të propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, e cila nuk pranohet as nga avokatët.

Në një intervistë për Ora News, Baçi tha se shkurtimi i gjykatave do të sjellë vështirësi tek qytetarët, nga ana financiare si dhe kohës.

Ai tha se nuk dihet se në çfarë studimi po bëhet ky reformim, ndërsa theksoi se në gjykata do të jetë një ngarkesë e paimagjinueshme.

Luan Baçi: Ka qenë shqetësim i gjithë qytetarëve, sepse shkurtimi i gjykatave, është një vështirësi dhe kosto financiare. Këtë shqetësim e kanë ngritur avokatët dhe noterët. E dinë se ça vështirësi do të sjellë ky organizim i ri i gjyqësorit në shtrirjen territoriale. Nuk dihen se në bazë të cilit studim po bëhet kjo. Është e paimagjinueshme ngarkesa që do të jetë në gjykata. Janë rreth 10 mijë dosje stok që presin të merren në shqyrtim. S’do të ketë zgjidhje.

Sipas Baçit, Rama i bën reformat për të dëmtuar e jo ndihmuar qytetarët.

Luan Baçi: Nuk e kuptoj pse është zgjedhur Lushnja për të pasur një Gjykatë Apeli. Kush janë kriteret që janë përdorur për të bërë këtë riorganizim të gjyqësorit. Rama duket se reformat i bën për të dëmtuar qytetarët e jo për t’i ndihmuar. Nuk ka një plan të qartë se si do të organizohet puna. Po ndodh e njëjtja gjë si me refomën territoriale. Jam i sigurt se atje ku do t’i çojnë Gjykata, do të shtojnë personelin. Radha do të jetë shumë e gjatë për qytetarët.

Baçi, theksoi se PD do të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për të kundërshtuar këtë reformë.

Luan Baçi: Janë të habitshëm se si po i operojnë reformat që po bëjnë. Rama mendon se në pushtet do të rrijë gjatë, dhe kjo shihet me mënyrën se si bëri reformën territoriale, si emëroi opozitën false. Nga ana e opozitës do të hidhen hapat e domosdoshëm për ta kundërshtuar këtë reformë të Ramës. Kemi deputetët të PD që vazhdojnë të vetëquhen drejtues të PD-së dhe nuk i kam dëgjuar të flasin për këtë reformë. Duket se janë në unison.

Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.