Barcelona drejt falimentimit, rrezikon të zhduket nga harta e futbollit

Barcelona është zyrtarisht në krizë financiare. Klubi katalanas po përjeton një moment shumë delikat për shkak të borxheve të mëdha që sezonin e shkuar çuan edhe në largimin e Lionel Messit. Në lidhje me këtë çështje ka folur edhe zv.presidenti Eduard Romeu:

“Borxhi neto është rreth 500 milionë Euro. Kjo është shifra e saktë që na nevojitet për të shpëtuar Barcelonën. Na duhet të gjejmë një zgjidhje urgjente për të financuar merkaton për objektiva të rëndësishëm si Lewandowski sepse nëse nuk bëjmë asgjë në këtë drejtim, humbjet do të vazhdojnë të shtohen në masën 150 milionë çdo sezon”.

Krizë që sipas zv.presidentit është nxitur nga ish presidenti Josep Maria Bartomeu. Një nga zgjidhjet që është shtruar në tavolinë është shitja e një pjese të aksioneve për 275 milionë euro.

Një ofertë e mirë për sektorin BLM që merret me marketingun audioviziv por që mund të mos mjaftojë për të shpëtuar klubin. Pas tre sezoneve në rënie të lirë, këtë vit situata duhet të përmirësohet dhe Barcelona ta mbyllë bilancin me plus.

Ndoshta rruga më e shpejtë do të ishte që Barcelona dhe klube e tjera të Spanjës të pranojnë marrëveshjen me fondin britanik CVC që premton të injektojë 2 miliardë euro për klubet në krizë ekonomike.  Me fjalë të thjeshta, një hua me interes deri në 10 % në vit.