Spaho: Rregullorja në Kuvend interpretohet sipas qejfit të mazhorancës. Rama sharës profesionist
Deputeti Edmond Spaho është shprehur se qeveria në 4 mujorin e parë të këtij viti, ka mbledhur 340 milionë dollarë, më shumë se në 4 mujorin e parë të vitit 2021.
Në një intervistë për Ora News, tha se qeveria në vendin tonë, ka bërë më pak për qytetarët nga të gjithë vendet në rajon.
Edmond Spaho: Qeveria për 4 mujorin e parë ka mbledhur 340 milionë dollar më shumë se 4 mujori i parë i vitit 2021. Kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimeve. Në këto kushte me cinizëm, i drejtohet qytetarëve se i ka marrë të gjitha masat që t’ua lehtësojë ju krizën ekonomike dhe financiare. Është qeveria që bën shumë më pak në të gjithë rajonin për qytetarët e vet, pa folur pastaj për qeveritë europiane. U kanë dhënë qytetarëve mbështetje finacinare direkte.
Teksa është ndalur sërish te debati i ndodhur ditën e djeshme (9 qershor) në Kuvend ku dhe u përjashtua nga seanca, Spaho u shpreh se në Parlament thyhet rregullorja dhe interpretohet si i do qejfi mazhorancës.
Edmond Spaho: Aty në parlament aplikohet një standard i dyfishtë. Nëse ka aty sharës profesionist, është kryeministri i vendit. Aty thyhet rregullorja dhe interpretohet si i do qejfi mazhorancës.
Spaho u ndalë edhe te rritja e çmimeve, ku tha se kjo qeveri nuk kupton me logjikë, por vetëm me protesta.
Edmond Spaho: Ajo që thuhet se ne nuk po rrisim çmimin e energjisë elektrike, është një mashtrim sy më sy që i bëhet qytetarëve. Ka që nga 2013 që na i kanë rritur çmimet. Kjo qeveri nuk kupton me logjikë dhe argumente, jo se nuk kupton, por nuk duan, kështu i intereson. Përsa kohë që ai e përdorë edhe krizën për të bërë para, dhe për të dhënë koncesione, mos prit të merresh vesh në rrugë normale, ai kupton vetëm me protesta kupton, madje ka frikë nga protestat. Nëse qytetarët do rrinë e të bëjnë sehir, më keq do ta kenë në qafë këtë qeverisje, dhe periudha e rritjes së çmimeve do vazhdojë e më gjatë.
Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.
